English

Gjen një armë duke kullotur bagëtinë, vetëplagoset 13-vjeçari

Mirditë, 16 Prill NOA - Një djalë i mitur është plagosur ndërsa qëndronte në mal duke kullotur bagëtinë, pak pasi gjeti një armë zjarri me të cilën nisi të luante, pa e ditur rrezikun e saj.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Domgjon të komunës Fan të rrethit Mirditë. I.K., 13 vjeç, ishte duke ruajtur bagëtitë në mal së bashku me djalin e xhaxhait të tij, bashkëmoshatarin M.K.

Në një moment, dy fëmijët në vendin ku po kulltonin bagëtitë, kanë gjetur një armë zjarri. Sipas deklarimit të tyre, ata kanë nisur të luajnë me armën.

Por loja i çoi në përgjakje sepse njëri prej tyre, 13-vjeçari I.K., është plagosur në këmbë. Pasi janë lajmëruar familjarët e të vegjëlve, i plagosuri është dërguar në Spitalin e Rrëshenit ku mjekët thanë sot se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në lidhje me ngjarjen, policia e drejtorisë rajonale të Lezhës, tha se ka nisur një hetim. Paraprakisht ajo heton në pistën e vetëplagosjes aksidentale, por tha se po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

e.l/NOA

KOMENTE