English

Kryepolici Prençi, ultimatum vartësve: Mos u implikoni në procesin zgjedhor

Durrës, 16 prill NOA - Roli i Policisë së Shtetit në zgjedhje dhe mbarëvajtja e këtij procesi ka bërë që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi të zhvillojë disa takime me Drejtues të Lartë të Policisë në Qarqe.

Pas takimit dje në Vlorë, sot z. Prençi zhvilloi një takim në Drejtorin e Policisë së Qarkut Durrës me Drejtorët, Shefat e Rendit dhe Sigurisë Publike, Shefat e Komisariateve si dhe me Drejtorët Rajonal të Kufirit të Qarqeve Durrës, Tiranë dhe Elbasan.

Drejtori i Përgjithshëm ka pohuar se detyrat e policisë para, gjatë dhe në përfundim të procesit zgjedhor janë të përcaktuara qartë në Kodin Zgjedhor, dhe për këtë arsye kërkohet zbatimi me korrektësi e detyrave që ka përcaktuar Kodi Zgjedhor.

Rëndësi të veçantë Drejtori i Përgjithshëm i kushtoi prezantimit të punonjësve të policisë gjatë procesit zgjedhor.

Sipas Prençit, në datën 28 Qershor, ditën e zgjedhjeve, nuk duhet asnjë punonjës policie me rroba civile, por punonjësi i policisë i ngarkuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor duhet detyrimisht të jetë i veshur me uniformë dhe të ketë të varur dokumentin e identifikimit.Â

"Secili nga ne, duke filluar nga unë si Drejtor i Përgjithshëm, e deri tek polici më i thjeshtë, nuk duhet të kemi frikë nga deklaratat politike që na atakojnë, por duhet të fokusohemi dhe të zbatojmë vetëm ligjin", - tha Prençi.

"Por, nga ana tjetër, - shtoi ai, - nuk do të tolerojmë asnjë efektiv të policisë të implikohet në procesin zgjedhor".

Kryepolici paralajmëroi se "ne si drejtues qendrorë dhe ju si drejtues në qarqe do të monitorojmë çdo veprim të punonjësve të policisë dhe kushdo qoftë ai, punonjës që do të shkelë ligjin, do të ndëshkohet me masën më të rëndë disiplinore, deri në përjashtim nga radhët e Policisë së Shtetit".

Kurse shprehu kërkesën: "Të angazhoheni më tepër në këtë drejtim me qëllim, që policia të tregojë vlera të zbatimit të ligjit, sikundër edhe në zgjedhjet e fundit".

Prençi paralajmëroi se për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, në javën e ardhshme do të fillojnë trajnimet në Qendrën e Formimit Policor, ku të gjithë punonjësit e policisë që do të kenë detyra për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor do të trajnohen.

"Gjithashtu, jemi duke përgatitur një libër xhepi për të gjithë punonjësit e policisë, libër i cili përcakton qartë detyrat tona. Të gjithë drejtuesit duhet të kontrollojnë veprimtarin e çdo punonjësi në varësi", - evidentoi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.Â

e.l/NOA
KOMENTE