English

Bexhet Pacolli po lobon në Salvador për njohjen e Kosovës

El Salvador, 17 prill, NOA - Lideri i Aleancës Kosova e Re, Bexhet Pacolli po qëndron në kryeqytetin e Salvadorit në Amerikën Qendrore për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ai është takuar me presidentin e sapozgjedhur të këtij vendi Mauricio Funes dhe i ka kërkuar atij që ta njohë sa më shpejt pavarësinë e Kosovës.

"Nga njerëzit e afërt të presidentit Funes kam marrë garanci se ky vend do ta ndërmarrë aktin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, sapo presidenti ta marrë detyrën zyrtarisht. Tani unë sapo i njoftova dy deputetët e Asamblesë së El Salvadorit për historinë e Kosovës në kronologji, ndërkaq ata tash e njoftojnë presidentin lidhur me këtë, në ndërkohë pres të takohem edhe me presidentin", theksoi Pacolli.

Në fakt, para se të zhvillohet takimi me presidentin Funes, lideri i AKR-së, i shoqëruar nga ambasadori amerikan William Walker dhe ekipi i tij përcjellës është takuar me dy deputetë seniorë të Asamblesë Legjislative të El Salvadorit, Jose Orlando Arevalo Pineda dhe Juan Pablo Duran Escobar, me të cilët ka biseduar për çështje të ndryshme.

Pacolli do ta vazhdojë turneun lobues me qëllim njohjen e pavarësisë në ditët e ardhshme edhe në Nikaragua, në republikën Domenikane dhe në Guatemala.

Vizita dhe takimi i Pacollit me presidentin Funes është mundësuar nga një mik i tij i afërt nga San Salvadori, kryeqyteti i El Salvadorit, Enrike Rais, drejtor dhe pronar i kompanisë më të madhe për prodhimin e energjisë alternative "Manejo Integral de Desechos Solidoes", njëkohësisht njeriu më i pasur në El Salvador. Takimi është zhvilluar në hotelin "Sheraton Presidente" në San Salvador, ku po qëndron Pacolli me ekipin e tij.

n.e/NOA

KOMENTE