English

PD reagon për kartat falas që kërkon PS: Po pasaportat pse të paguhen 5 mijë lekë

Tiranë, 18 Prill NOA - Partia Demokratike (PD) vlerësoi sot se të kërkosh, për 700 mijë qytetarë pa pasaporta, karta falas, do të thotë të mos mendosh për 1.2 milionë shqiptarë që kanë paguar nga 5 mijë lekë për një pasaportë.

"Çmimi i dokumentit të identitetit që përmban koston e prodhimit të tij, jo vetëm që nuk është taksuar në mënyrë absolute siç trillon

në mënyrë ordinere z.Rama, por përkundrazi është subvencionuar nga shteti në masë 80 deri 100% për rreth 700.000 qytetare në nevojë dhe 25 deri 35% për të tjerët", evidentoi Erla Mëhilli, zëdhënëse e PD.

Sipas saj, "Rama për të mbuluar megaskandalin e tij të djeshëm në mbledhjen e KRT-së së Tiranës në të cilën mori për vete dhe Eftimin e tij 19 leje nga 28 lejet e ndërtimit që ishin gjithsej duke u ngjitur kështu i zhveshur në majën e piramidës së vjedhjes dhe korrupsionit lëshon çdo ditë përçatje i tmerruar nga akti i tij prej megakorruptori".

Duke u ndalur në këtë pretendim, Mëhilli ilustroi se "Rama dje dhe sot duke parë se procesi i pajisjes së qytetarëve me karta po ecën shumë mirë, duke parë se nga vendimi i fundit i Qeverisë përfitojnë me çmime simbolike nga 2 mijë lekë të vjetra e deri falas rreth 700.000 votues tani flet se po cënohet liria e tyre për të votuar".

Me këtë rast Mëhilli tha se "duam të pyesim Z.Rama: Po ata 1.2 milionë qytetarë që dokumentin e identitetit pasaportën e kanë blerë me 50 mijë lekë? Çfarë janë? Apo janë qytetarë të gjobitur me 30 mijë lekë për dokumentet e tyre?".

Mëhilli theksoi se "z.Rama siç u merr 500 lekë qytetarëve për një certifikatë dhe nuk ju a jep ato pa paguar taksat e gjelbërimit dhe pastrimit, për të cilat keqpërdor 1 dhe 7 për të vjedhur, nuk ke koncept tjetër lirie përveç mashtrimit trillimit dhe plaçkitjes në Bashki. Nga ana tjetër, shkruaj letra 3 herë në ditë, shpif e trillo nga mëngjesi deri në darkë, të jesh i bindur se në 28 Qershor do të marrësh fundin që ti meriton".

e.l/NOA
KOMENTE