English

Shpallen në Torino, fituesit e konkursit "Principe Giorgio Castriota Skanderbeg"

Torino, 20 prill NOA - Në qytetin e Chierit, pranë Torinos, në Itali, u zhvillua këtë fundjavë, ceremonia e dhënies së çmimeve letrare në kuadër të edicionit të 9-të të konkursit "Principe Giorgio Castriota Skanderbeg".

Konkursi letrar, emri i të cilit i dedikohet heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, organizohet nga shoqata Vatra Arbëreshe e Chierit.

Çmimet u jepen krijimeve të reja më të mira letrare në gjuhën Arbërishte, si edhe krijimeve më të mira të nxënësve me origjinë Arbëreshe që studiojnë në shkollat Italiane.

"Qëllimi i konkursit është pikërisht ruajtja dhe lëvrimi i mëtejshëm i gjuhës Arbërishte ndër brezat e rinj të diasporës së hershme Shqiptare në Itali", - u shpreh Vincenzo Cucci, Presidenti i shoqatës Vatra Arbëreshe.

Ai u kujtoi të pranishmëve se në territorin e Rajonit të Piemontit jetojnë sot mbi dhjetë mijë qytetarë me origjinë Arbëreshe, duke përbërë kështu një nga bashkësitë më të mëdha të këtij komunitetit jashtë vendbanimeve të tyre historike në jug të Italisë.

Duke filluar nga ky edicion, një seksion i posaçëm i konkursit i rezervohet edhe krijimeve të reja poetike të shkruara në Shqipen letrare.

Në bashkëpunim me Federatën e Shoqatave Shqiptare, Italo-Shqiptare dhe Arbëreshe të Piemontit, të përfaqësuar në ceremoni nga zv. presidenti i saj Benko Gjata, këtë herë juria e konkursit vlerësoi me çmim edhe krijime poetike të autorëve Shqiptarë.

Juria e konkursit kryesohej nga prof. Italo Fortino, titullar i katedrës së gjuhës dhe letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Napolit.

Anëtarë të saj ishin edhe Visar Zhiti, Atashe Kulturor pranë Ambasadës së Shqipërisë në Itali, Eduard Soppi, kryetar i shoqatës ‘Nënë Tereza' të Astit, Annunziata Delli Santi, eksperte e gjuhësisë pranë Sportelit Gjuhësor të Rajonit të Bazilikatës si edhe poeti Arbëresh Tommaso Campera, përgjegjës i Departamentit të Kulturës pranë shoqatës "Vatra Arbëreshe".

Në fjalën e tij, prof. Fortino u shpreh se një kulturë pa rrënjë nuk mund t'i rezistojë tronditjeve të globalizmit.

"Kultura Arbëreshe, - vijoi ai, - nuk duhet të konsiderohet si anakronike apo anti-historike, përkundrazi. Ajo është një kulturë që krijon harmoni mes së tashmes dhe së kaluarës, mes individit dhe shoqërisë ku ai jeton".

Fortino vlerësoi edhe përpjekjet e nxënësve me origjinë Arbëreshe, të cilët, sipas tij, pavarësisht vështirësive të mëdha objektive për të shkruar në Arbërisht, kanë qenë në gjendje të përcjellin në krijimet e tyre përsiatje me ngarkesë emocionale.

Në ceremoninë e dhënies së çmimeve morën pjesë edhe shumë autoritete vendore si Agostino Gay, Kryetari i Bashkisë së Chierit, Roberto Placido, Zv-Kryetar i Këshillit Rajonal të Piemontit, Giuseppe Cerchio, Zv-Kryetar i Këshillit të Provincës së Torinos, Valter Giuliano, Asesor i Kulturës në Provincën e Torinos, A.Maria Morello, përfaqësuese e Rajonit të Piemontit dhe Gaetano Porcino, Deputet i Parlamentit Italian.

Kryetari i Bashkisë së Chierit vlerësoi, në fjalën e tij, kontributin e rëndësishëm të Vatrës Arbëreshe për përhapjen e njohjes së bashkësisë Arbëreshe dhe të kulturës së saj.

Ai tha gjithashtu se konkursi dedikuar heroit kombëtar Gjergj Kastriotit ja vlen të mbështetet edhe sepse ai përcjell vlera të mëdha artistike e kulturore.

Nga ana e tij, zv/kryetari i Këshillit Rajonal të Piemontit Roberto Placido tha se Piemonti është Rajoni i parë i Italisë që i ka njohur Arbëreshët si minoritet gjuhësor autokton, jashtë territoreve historikisht të banuara nga ata, në Rajonet e jugut të Italisë.

"Në këtë mënyrë, - vijoi ai - edhe Arbëreshët e Piemontit mund të përfitojnë nga fondi prej 200 mijë eurosh që Rajoni i Piemontit vë çdo vit në dispozicion të minoriteteve gjuhësore për të mbështetur veprimtaritë e tyre kulturore.

Përfaqësues zyrtar i vendit tonë në takim ishte z. Gjon Coba, Konsull i Shqipërisë në Milano.

"Ne vazhdojmë të jemi një popull i bashkuar, u shpreh ai në fjalën e tij, - ndonëse historia 500 vjeçare na ka ndarë në të dy anët e Adriatikut.

Jam i sigurt se lidhja e fortë mes Shqipërisë dhe Arbëreshëve do të vazhdojë në shekuj, shtoi konsulli Coba.

Fitues të edicionit të nëntë të konkursit, në seksionin e krijimeve në Arbërisht, u shpallën kantautori Francesco Scaravaglione, nga Pavia, si edhe nxënësja Katia Forte, në seksionin e autorëve të rinj.

Në seksionin e dedikuar Shqipes letrare, për poezinë më të mirë të pabotuar fituese u shpall shkrimtarja dhe studiuesja vlonjate Vilhelme Vranari; ndërsa çmimi i posaçëm i jurisë për kontributin e dhënë në lëvrimin e letrave Shqipe ju dha autores dhe përkthyeses Valbona Jakova.

Ceremonia u shoqërua me një spektakël mjaft të veçantë, të titulluar "La sposa di Scanderbeg" ("Nusja e Skënderbeut") të paraqitur nga trupa artistike "Centro Mediterraneo delle Arti". Spektakli, me këngë dhe muzikë të traditës më të mirë Arbëreshe të luajtur live, rrëfen fazat e ndryshme të emigrimit Arbëresh në Itali.

Vilhelme Vranari Haxhiraj

Me çmimin Skanderbeg për poezinë më të mirë në Shqipen letrare u vlerësua Vilhelhme Vranari Haxhiraj, shkrimtare dhe studjuese nga qyteti i Vlorës. E lindur në gjirin e një familjeje me tradita të njohura patriotike nga Kanina, me prejardhje nga prijësi i shquar Shqiptar i mesjetës Gjergj Araniti, ajo e ka nisur krijimtarinë letrare që në rini.

Botimi i saj i parë është një vëllim me poezi, por gjinia që Vilhelme Vranari Haxhiraj preferon dhe lëvron më shumë është proza letrare dhe ajo historike. Autore e mbi 24 vëllimeve në 12 vitet e fundit, ajo është vlerësuar me çmime për krijimtarinë e saj brenda dhe jashtë vendit.

Valbona Jakova

Shkrimtarja dhe përkthyesja me origjinë Shkodrane, por e lindur në Tiranë, Valbona Jakova u vlerësua me çmimin e posaçëm të jurisë për letërsinë në Shqipen standarde.

Ajo jeton në Ghedi, pranë Brescia-s, bashkë më familjen, që prej vitit 1991, qytet ku ushtron profesionin e mediatores kulturore.

E apasionuar që herët pas letërsisë, botimet e para i ka realizuar pas vitit 1990, në Shqipëri dhe në Itali. Ajo ka përkthyer gjithashtu në Shqip poetët e mëdhenj Ungaretti dhe Neruda. Krijimtaria e saj është vlerësuar me disa çmime letrare në Itali.

g.f/NOA

KOMENTE