English

Berisha takon Kushner: Aplikoni për në BE, ju liberalizojmë dhe vizat

Paris, 24 prill NOA - Kryeministri Sali Berisha doli para pak minutash nga një takim zyrtar me ministrin e Jashtëm të Francës, Bernard Kushner.

Burimet e agjencisë së lajmeve NOA në takimin ku morën pjesë dhe zyrtarë të lartë shqiptarë dhe francezë, citojnë z.Kushner të ketë vlerësuar zhvillimet pozitive në vendin tonë.

"Ne konstatojmë arritje të mëdha, të prekshme në sytë e botës dhe mendojmë se qeveria shqiptare dhe kryeministri Sali Berisha, kanë arritur të realizojnë reforma të jashtëzakonshme, për më tepër, të shpejta dhe efikase", - ka deklaruar z.Kushner.

"unë mendoj, - ka vijuar z.Kushner, - se qeveria dhe kryetari i saj Berisha, po veprojnë me mençuri, duke quajtur integrimin në Bashkimin Evropian një proces të pandalshëm dhe bazuar në meritat që Shqipëria i ka dhe po i mban me vendosmëri ".

Njëkohësisht, z.Kushner siguroi se "as nga Franca dhe as nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian, nuk ka pengesa për kandidimin e Shqipërisë për aplikimin në BE, për vetë faktin se ne konstatojmë arritje impresionuese kundër kriminalitetit në tërësi".

Këtu, z.Kushner ka përforcuar: "Po. Keni mbështetjen tonë të plotë, për kandidimin për në BE, cilado qoftë data e aplikimit", -

Ndërkohë, z.Kushner ka lëshuar edhe një mesazh të fortë për ëndrrën e shqiptarëve që të hyjnë dhe dalin lirisht në Evropë.

"Ne mbështesim liberalizimin e vizave me Shqipërinë", sqaroi z.Kushner.

Më tej, z.Kushner ka folur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës. "Perspektiva e marrëdhënieve mes dy vendeve, është e shkëlqyer", - konstatoi ai.

Kurse lajmëroi se së shpejti, një delegacion me biznesmenë francezë do të vizitojë Shqipërinë, do të takojë atje autoritetet shqiptarë ku do të prezantojë projekte të qarta për investime, duke shtuar se do të jetë edhe vetë i pranishëm në Shqipëri.

e.l/NOA

KOMENTE