English

Arrestime në Gjakovë, në shënjestër, dy aktivistë të Vetëvendosjes

Gjakovë, 29 prill NOA - Në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjakovë, Policia e Kosovës ka arrestuar dy aktivistë: Artan Mustafën dhe Tomor Grezdën, informon lëvizja sot, përmes një komunikate për mediat.

Ata u arrestuan pasi përfunduan aksionin e shkruarjes së parullës "EULEX - MADE IN SERBIA" nëpër qytetin e Gjakovës. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, me këtë rast, bastisën zyrat e VETËVENDOSJE!-s në Gjakovë dhe vodhën disa materiale, përfshirë këtu edhe shabllonin me të cilin shkruhej parulla.

Togerja Laura Krekaj, si dhe rreshterët Rasim Dushi e Nikë Përgjokaj, morën në pyetje Artanin e Tomorin dhe aktivisten Hazbije Pruthi. Policët keqtrajtuan aktivistët duke lozur rolin e prokurorëve.

I akuzonin aktivistët që kinse, sipas tyre, nuk po e njohin shtetin e Kosovës, kur në fakt është pikërisht EULEX-i ai që duke qenë ‘neutral ndaj statusit' nuk e njeh shtetin e Kosovës.

"Këta policë flisnin sikur të ishin zëdhënës të EULEX-it. Ata s'brengosen për strukturat paralele të Serbisë që duan ta rrënojnë Kosovën nga brenda por i pengojnë aktivistët tonë që e thonë të vërtetën. Artani dhe Tomori u mbajtën në polici deri të nesërmen në mëngjes", - thotë Vetëvendosje.

Kurse komenton: "Institucionet e Kosovës dhe Policia e Kosovës në vend që të merren me veprimet e fundit të EULEX-it për zbatimin e Planit 6 Pikësh që është plan i Sebisë, po merren me arrestimin e aktivistëve tanë të cilët po tregojnë që "EULEX MADE IN SERBIA".

Vetëvendosje konsideron se "policia po e luan rolin e atij policit të keq i cili nuk e arreston hajnin por atë që tregon kush është hajni".

Kurse përfundon: "Nuk është e rastësishme që pjesëtarët e Policisë veprojnë sikur të ishin polici e EULEX-it, ngaqë janë nën kontroll të EULEX-it".

a.b/NOA

KOMENTE