English

Të jetosh në padije për atë çka duhet të kesh

Nga Edi Rama

Kryetar i PS

"Janë me dhjetëra mijëra gra në gjithë Shqipërinë, që e kalojnë gjithë periudhën e shtatzënisë në padijeni të plotë për shëndetin e foshnjës, për shkak të varfërisë.

Unë dua ta them sot, se pas 28 Qershorit, asnjë gruaje shtatëzanë nuk do ti mungojë konsulta mjekësore. Ne do ta marrin ne përsipër konsultën mjekësore për të gjitha gratë shtatëzëna të këtij vendi.

Principi ynë është i thjeshtë, ne nuk mund të kujdesemi për fëmijët e Shqipërisë vetëm kur ata kapërcejnë pragun e çerdhes, aty ku ka çerdhe, të kopështit, aty ku ka kopësht, të shkollës, aty ku ka mundësi të arrijnë deri tek shkolla.

Ne do të kujdesemi për fëmijët qysh në barkun e nënës. Do të kujdesemi për të gjitha nënat. Asnjë nënë që do të sjell gëzimin e lindjes së fëmijës në familjen e vet të varfër, nuk do të jetë më vetëm në luftën me varfërinë.

Do të jemi në krah të çdo nëne dhe do t'i japim fund kësaj historie të shëmtuar shqiptare, ku pikërisht për shkak të mungesës së solidaritetit dhe për shkak të pamundësisë së grave të reja, ka kaq shumë probleme dhe kaq vështirësi qysh në shtatëzani.

Është një realitet i trishtueshëm, i cili shkon sigurisht përtej këtij episodi dhe këtij fakti që vret të gjitha gratë e reja dhe shtrihet te gratë kudo dhe i cili përmban në vetvete problemin dhe sfidën tonë të ardhshme. Problemi i një shoqërie, e cila nuk ka gjetur ekuilibër mes burrave dhe grave, mes djemve dhe vajzave, sepse te mungesa e këtij ekuilibri qëndron një nga rrënjët më të thella të problemeve tona ekonomike, siç janë papunësia dhe varfëria.Â

Sot ne e shohim kudo këtë problem dhe ndiejmë kudo këtë sfidë, në formën e dhunës në familje, që është në rritje, në formën e përqindjeve të larta të kancerit të gjirit për gratë, në formën e diskriminimit të grave kur kërkojnë një vend pune dhe sigurisht edhe në formën e shifrave të ulëta të pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje.

Pagat e grave vazhdojnë të jenë sa gjysma e atyre të burrave, vdekshmëria foshnjore në vend është nga më të lartat në rajon, dhe qysh prej 2006-ës, Shqipëria ka rënë 26 vende më poshtë në indeksin global të barazisë gjinore, duke zënë pozicionin e 84-rt nga 130 vende të listuara. Për këtë pabarazi, flitet më pak se ç'duhet dhe bëhet shumë më pak se sa duhet.

Madje, është pabarazi që në të shumtën e herës ju vjen për shtat njerëzve që kanë në duar vendimmarrjen në Shqipëri dhe i vjen për shtat atyre që qeverisin, ose më saktë atij që sot e qeveris Shqipërinë. Kjo është një gjë që preket kudo, ndihet kudo, në çdo hap të jetës tonë të përditshme. Â

Pjesëmarrja më e lartë, e grave në Parlament pas 28 qershorit do të tregojë me prova se sa i mangët ka qenë Parlamenti deri më sot dhe se sa më shumë akoma do të duhet ta shtojmë pjesëmarrjen e grave për të pasur Parlamentin që na duhet për të bërë ligjet e duhura, e për të mundësuar gjithë ato që deri më sot nuk janë bërë - jo se sbëhen dot, por sepse ka munguar vullneti për t'i bërë.Â

Ne jemi absolutisht të vetëdijshëm që problemi i barazisë gjinore është një problem që duhet zgjidhur për t'i dhënë Shqipërisë jo vetëm një dimension të ri demokratik por mbi te gjitha një dimension të ri ekonomik.

Ne jemi plotësisht të bindur që gjendja jonë e vështirë ekonomike dhe shoqërore nuk do të ishte e tille në rast se gratë dhe vajzat do të kishin më shumë zë, nëse ato do të kishin të drejtën e tyre në të gjitha veprimet që, fatkeqësisht, janë marrë pa to, e që rëndojnë më shumë në to, si vajza, si gra, si nëna.

Për këto arsye, në programin tonë ne jemi fokusuar te domosdoshmëria për të hapur një proces transformimi në këtë drejtim, duke forcuar pozicionin e gruas. Vetëm kështu mund të kemi një Shqipëri më të mirë.

Bindja ime është se vendosja e grave në kushte të barabarta me burrat, për t'u dhënë mundësi që të marrin pjesë në jetën politike, është vetëm njëri nga aspektet. Ne nuk duhet të pranojmë që ky është i vetmi aspekt. Se, edhe sikur të shkojmë në një barazi të plotë të pjesëmarrjes së grave në Parlament do të ishte e pamjaftueshme nëse nuk do shtrihej kjo gjë në të gjitha nivelet e pushtetit në Shqipëri. Nuk do ishte e mjaftueshme, në rast se nuk do hiqeshin pengesat diskriminuese që hasin vajzat e gratë kur duan të japin kontribut në administratën shtetërore të këtij vendi, apo në rast se nuk krijohen kushte të reja për gratë dhe vajzat me talent sipërmarrës.

Për këtë arsye ne kemi qenë të fokusuar që në planin tonë të flitet për politika që krijojnë jo vetëm mundësinë për të ushtruar të drejtën e përfaqësimit, por edhe të krijojmë perspektivë për lirinë ekonomike të grave.

KOMENTE