English

Kreu i Sindikatave të Pavarura: Kriza po krijon situatë katastrofike, papunësia vetëm rritet

Tiranë, 1 maj, NOA - Në ditën ndërkombëtare të Punëtorëve, kreu i Konferedatës së Sindikatave të Pavarura, Kol Nikolla, ka deklaruar se realisht kriza financiare është duke krijuar një situatë katastrofike për fuqinë punëtore në vend, prandaj qeveria të marrë masat për ta parandaluar atë.

Duke marrë shkas nga dita e 1 Majit, kur punëtorët e gjithë botës mbushin sheshet për të kërkuar të drejtat e tyre, kreu i sindikatave të Pavarura shton se gjendja e papunësisë në vendin tonë është rënduar së tepërmi dhe se nuk po hapen vende të reja pune, shkak për të cilën është edhe kriza financiare, tashmë e pamohueshme.

"Kemi një shkurtim të ndërmarrjeve private, SME, janë me qindra biznese të mbyllura", ka deklaruar Nikolla.

Sipas tij, fuqia e papunësisë në vend është në nivelet 28-36 %, duke kundërshtuar shifrat prej 12-15 % që deklaron qeveria lidhur me një fakt të tillë.

Ndërkaq, në kuadrin e ditës së 1 Majit, po zhvillohen në këto momente me qindra marshime në vendet e të gjithë botës.

Bëhet e ditur se shumë protestues kanë zotëruar këtë mëngjes sheshet aziatike të Kamboxhias, Tajvanit, Filipineve, Hong-Kongut etj, të cilët po përleshen me policinë.

Sipas ekspertëve, priteshin të tilla reagime, sidomos këtë 1 Maj, kur botën e ka mbërthyer një krizë e egër ekonomike dhe me mijëra punëtorë kanë humbur vendet e tyre të punës.

Ndërkaq, bëhet e ditur se mëse 300 protesta janë parashikuar të zhvillohen në francë, ndërsa në Stamboll dhe Gjermani janë shënuar incidentet e para të dhunës mes policisë dhe protestuesve, të cilët kanë dalë në shesh për të kërkuar të drejtat e tyre.

n.e/NOA

KOMENTE