English

Pollo: Me thirrjen për kartat na janë bashkuar Ilir Meta dhe Paskal Milo

Berat, 2 maj NOA - Në një takim me banorë të komunës së Kozarës, në Berat, zëvendëskryeministri Genc Pollo foli sot, mbi procesin e pajisjes së shtetasve me karta identiteti për votimet e 28 qershorit.

Duke bërë një thirrje edhe për banorët e Kozarës për të aplikuar për letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike, z. Pollo tha:

"Këtë thirrje e kanë bërë të tërë, Kryeministri, mazhoranca, udhëheqës politik të opozitës si Meta dhe Milo, gjithë komuniteti ndërkombëtar".

Kurse theksoi: "I vetmi njeri që në mënyrë të çuditshme nuk arrin ta bëjë këtë gjë, është Edi Rama kryetar i Partisë Socialiste".

Më pas, Pollo ka folur për ndryshimet sipas tij, që kanë ndjerë fermerët nga reformat e qeverisë në bujqësi që nga viti 2005 e deri më sot.

"Shumë nga ju mund t'ju kujtohet, a ishit në gjendje t'i shisnit prodhimet bujqësore dhe blegtorale? A mund ti çonit në treg dhe ti shisnit, apo ju dergjeshin në fushë a depo? Tregu ishte i përmbytur nga prodhimet e huaja, të subvencionuara dhe kjo ka qenë situata dhe realiteti i kësaj kohe", - tha Pollo.

Këtë ai e shpjegoi me faktin, "jo se nuk punonit, jo se toka nuk prodhonte siç duhet, por se qeveritarët nuk kishin interesin e prodhimit vendas, prodhimit tuaj, por të importit nga vendet fqinje, sepse ishin vetë në krye të biznesit".

Sipas Pollos, ky është ndryshimi nga viti 2005-a e këtej: "Kemi tarifa doganore që respektojnë prodhimin tuaj dhe ju keni produkte që mund t'i shisni dhe të zhvilloni ekonominë e familjes suaj dhe të ardhmen suaj."

k.k/NOA

KOMENTE