Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
S'ka simetri të krimit
English

S'ka simetri të krimit

Nga Shqiptar Oseku

Artikujt e BBC-së për krimet e supozuara të luftës të kryera prej UÇK-së kanë shkaktuar reagime të mbytura dhe konfuze. Reagimet e para kanë qenë prej mohimit e gjer te zemërimi kundër ekipit të përbashkët shqiptar e britanik të gazetarëve në BBC, të cilët madje janë akuzuar se po i shpien ujë në mulli Serbisë.

Hashim Thaçit, më në fund, iu kujtua uniforma e dikurshme, e tha se UÇK "është distancuar" nga akte të këtilla "me kohë". Agim Çeku, ndërkaq, ka shtuar se lufta e UÇK-së ka qenë "e pastër". Reagime tjera të hapërdara kanë ardhur edhe nga Jakup Krasniqi, Ramush Haradinaj, Xhavit Haliti etj; secili me qëndrimin e vet personal, që shpesh bie ndesh me të shokut; thuase janë persona privatë e jo përfaqësues të shtetit.

Kështu nuk mbrohet dot trashëgimia e UÇK-së. Ajo që shihet qartë është se zotërinjtë nuk mblidhen dot rreth një linje të përbashkët. Ata ta kujtojnë anekdotën e Tolstoit për muzhikun rus që u akuzua nga i zoti se i ka vjedhur një rrotë. Jo unë s'kam vjedhur rrotë. S'e di se për ç'rrotë e ke fjalën. E kam ndëshkuar ashpër tim bir pse vodhi rrotën. Çka është rrota?

Personalisht, më vje turp për ta. Para së gjithash, për sulmin e papërmbajtur të tyre kundër gazetarëve, që zbulon - sërish! - një refleks trazues të krerëve tanë që në çdo situatë krize të godasin mediat. Shihet qartë se ata s'hamenden të qëllojnë lajmëtarin; në fakt, ata parapëlqejnë të qëllojnë së pari, e të shtrojnë pyetje pastaj.

Them se po të kishin shtruar së pari pyetje, ata do të kishin parë lehtësisht që gazetarët që i shkruan këta artikuj, tjerët i akuzojnë si proshqiptarë, meqë balansi i shkrimeve të tyre është 20:1 në favor të shqiptarëve. Gazetari britanik Montgomeri, që e udhëhoqi ekipin e gazetarëve, është ai që shkroi rrëfimet e famshme në BBC për masakrën e Qyshkut ku, siç dihet, u vra edhe i jati i Agim Çekut. Ai është edhe autori i vetëm ndërkombëtar që ka rrëfyer për djegien e kufomave shqiptare në shkritoret e Trepçës.

Së dyti, më vjen turp për ta, pse dyshoj që Thaçi&Co. po e shpërdorin këtë situatë për ta mbuluar shpërfilljen e tyre flagrante për shokët e dikurshëm të armëve, për idetë për të cilat ka luftuar UÇK-ja, e për vetë Kosovën. Gjatë tërë këtyre viteve që prej Luftës Çlirimtare, kemi qenë dëshmitarë të një procesi të çuditshëm dual, ku ata e kanë glorifikuar kujtimin e UÇK-së, ndërsa shokët e vet të dikurshëm i kanë varfëruar e margjinalizuar, kurse vlerat e UÇK-së i kanë dezertuar sistematikisht, përmes korrupsionit politik e ekonomik. Tutje është impenjimi i UÇK-së për të drejta të barabarta pavarësisht prej etnisë e fesë; tutje ëndrra e një shteti unitar për ne të gjithë; tutje shpresa për një regjim të pakorruptuar; për vetëvendosje dhe, në të vërtetë, edhe vetë ëndrra e lirisë.

Në vend të tyre, kemi një shtet etnocentrik të ndarë njësoj, në mos më fort, se në kulmin e pushtetit të Millosheviçit; ku bëhet dallim mes qytetarësh e qytetarësh; ku disa kanë gjithçka e disa bash asgjë; dhe ku liria është anuluar me dekret të Cezarit, që kësaj radhe s'vjen nga Beogradi por nga Brukseli, me mandat kushtetutor që ta burgosë kryetarin pa motiv e pa afat. S'do mend, pra, pse UÇK-ja, sall 10 vjet pas luftës së vet të drejtë e të kushtueshme, në përgjithësi trajtohet në distancë, si fenomen i lavdërueshëm por i pashpjegueshëm dhe nga pak trazues i të kaluarës së largët, ngjashëm me misterin e trinisë së shenjtë në dogmën kristiane. Krerët e saj të dikurshëm thjesht e kanë braktisur atë të pambrojtur lartë diku mbi një piedestal të ftohtë, ku sekush ka mundur ta gjuajë me gur e dru - të na gjuajë neve të gjithëve me gur e dru! Ndoshta ti mendon që kjo s'më qet në turp mua personalisht, por ja që unë ndjehem i turpëruar, nga mënyra se si janë trajtuar ata që flijuan për luftën. Është përbuzja ndaj tyre që më bën të turpërohem.

E treta, ndjehem thellësisht i turpëruar kur dëgjoj krerët e Kosovës tek gënjejnë sheshit, duke thënë që qenka ky artikull që i paska sjellë nam të zi Kosovës. Kur, në fakt, janë ata vetë që na kanë sjellë namin e zi të gjithëve. Opinioni botëror s'lëvizi nga mbështetja e vet për Bosnjen kur disa krerë të luftës atje u gjykuan në Hagë. Ai s'do të na braktiste as neve sot, sikur krerët kosovarë ta kishin bërë punën e vet. Por ja që s'e kanë bërë.

Madje sa u përket krerëve tanë, them se BBC-ja dhe Montgomeri mund të kishin shkruar lehtë edhe 100:1 në favor të Kosovës, e Serbia prapë do të na vinte përposh në opinion. Shkaku është, se krerët kosovarë dhe këto institucione të tyre ia kanë lënë në dorë Hagës që t'i ndjekë e t'i hetojë akuzat e panumërta kundër Serbisë, pa treguar asnjë angazhim vetjak që të nxirret në shesh e vërteta e përshkruar mu në shkrimet e Montgomerit me shokë. Në të njëjtën kohë, ata ia lanë duart e lira UNMIK-ut paranojak, i cili qysh herët i identifikoi ushtarët e UÇK-së si rrezikun më të madh kundër regjimit të vet neokolonial, që të na shkretëronte me drejtësinë e vet të anshme, e cila ka organizuar mëse 12 procese të diskutueshme gjyqësore kundër pjesëtarëve të UÇK-së, e zero (0) procese kundër të pandehurve serbë për krime të luftës. Pak kohë më parë, edhe EULEX-i tha haptazi se kishte nisur bashkëpunim zyrtar me prokurorinë serbe (të përmendur ndërkombëtarisht për korrupsion e manipulime politike) me qëllim që të akuzojë e të dënojë edhe ushtarë tjerë të UÇK-së; gjithçka vazhdon, pra, në të njëjtin stil si në kohën e UNMIK-ut, ndërsa krerët heshtin si peshku.

Si pasojë e kësaj, Serbia e ka patur të lehtë të bëjë stërvitje fushore, duke ushtruar qitje mbi kufomë. Ajo ka bërë shou publik nga çdo rast që i është ofruar për ta fajësuar shqiptarët. Ose, kur ka gjykuar që kjo është e pamundur, për ta ndarë fajin barabarësisht: në viktima civile, në refugjatë, në pothuajse çdonjërin nga ato kuantitetet horrible të cilat përdoren nga njerëzit e rëndomtë në rrugë për të dalluar të drejtën nga e padrejta, kriminelin nga viktima. Ku ishin krerët e Kosovës gjersa ndodhte gjithë kjo? Çfarë po bëjnë ata sot, për ta mbështetur juridikisht të vërtetën mbi Kosovën? Si guxojnë ata, si kanë fytyrë, të tregojnë me gisht kah gazetarët?!

Është heshtja dhe indolenca e krerëve, e jo faji i gazetarëve, që na ka sjellur në këtë gjendje absurde: Lufta Çlirimtare la 15. 000 shqiptarë të vdekur e më pak se 1000 serbë; nga Kosova kanë ikur 60. 000 refugjatë serbë dhe 300. 000 refugjatë shqiptarë (mes tyre edhe vetja ime); tribunali i Hagës i ka dënuar krerët e shtetit serb, e i ka liruar udhëheqësit shqiptarë të luftës; kurse imazhi që i ushqehet paprerë opinionit ndërkombëtar flet për një simetri të krimit. Kjo më turpëron më shumë se gjithçka tjetër: fakti se atdheu im ende udhëhiqet nga një mënyrë të këtillë kaq të papërgjegjshme.

Prandaj, them se neve nuk na e punuan BBC-ja dhe Montgomeri. Them se neve na e punuan Sejdiu, Thaçi, e shokët e tyre. Dhe na e punuan keq, bile!

KOMENTE