English

Berisha në Krujë: Në mandatin e dytë nuk do të ketë metër linear rrugë të paasfaltuar

Krujë 6 maj NOA - Kryeministri Sali Berisha inauguroi sot shkollën e mesme të përgjithshme në komunën Thumanë, në Krujë.

"Është një kënaqësi e veçantë për mua të ndaj me ju gëzimin e inaugurimit të shkollës së mesme të përgjithshme në Thumanë dhe t'ju uroj gëzuar këtë shkollë të mrekullueshme, të standardeve më të mira, me kabinete informatike. Mësuesit e fëmijëve tuaj, duke filluar nga data 1 maj, marrin një pagë dy herë më të lartë, sesa e kishin në vitin 2005" u shpreh Berisha.

Gjatë vizitës në Krujë kryeministri Berisha mbajti një fjalim para qytetarëve ku u shpreh se në 4 vite, qeveria ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të mbrojtur dhe për të plotësuar interesat qytetarëve.

"A nuk ishte interesi juaj dyfishimi i pensionit në fshat, a nuk ishte interesi juaj dyfishimi i pagave të mësuesve, a nuk ishte interesi juaj dyfishimi i pagave të infermierëve, a nuk ishte interesi juaj rritja e pensioneve në qytet 48 deri më 70 për qind" u shpreh kryeministri.

"Këto 4 vite, ne ia dolëm të ndryshojmë Shqipërinë dhe për çdo shqiptar që e do këtë vend dhe mendon për veten dhe fëmijët e tij, Shqipëria në NATO, Shqipëria kandidate e BE-së, Shqipëria me 1012 shkolla të reja apo të rindërtuara në 4 vjet, Shqipëria me mësues, infermierë e mjekë me paga të dyfishuara, me pensionet e fermerëve të dyfishuara, është një Shqipëria tjetër. Por tjetër është Shqipëria në infrastrukturën e saj" deklaroi Berisha.

"Jam këtu për t'ju dhënë fjalën e nderit se në mandatin e dytë nuk do të ketë metër linear rrugë të paasfaltuar në këtë fshat dhe në mbarë rrethin e Krujës' tha kryeministri.

k.k/NOA

KOMENTE