English

Qeveria i jep hua në miliona euro Bashkisë së Tiranës

Tiranë, 7 maj NOA - Polemikat e shumta mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryesocialistit Edi Rama, që drejton edhe bashkinë më të madhe në vend, nuk e kanë penguar qeverinë që të miratojë në mbledhjen e radhës, dhënien e një huaje për bashkinë e Tiranës.

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme marrëveshjen e huasë mes Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (EBRD) për financimin e projektit të zhvillimit të rrugëve të bashkinë e Tiranës.

Ky vendim mundëson financimin e projektit të rikonstruksionit dhe zgjerimit të urës së Lanës, pranë shkollës teknologjike si dhe ndërtimin e qendrës së Kontrollit pranë Bashkisë së Tiranës.

Qeveria, tha zyrtarisht se vendosi propozimin e projektligjit "Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për një financim shtesë, për projektin e ofrimit të shërbimeve sociale", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ndërsa i kaloi për miratim Parlamentit, ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për një financim shtesë, për projektin e ofrimit të shërbimeve sociale.

Vendimi i Berishës që pritet të kalojë dhe në Parlament, vjen në një kohë që kryeministri dhe kryetarja e Kuvendit, rregullisht hedhin akuza ndaj Edi Ramës, ndërsa një komision hetimor parlamentar pritet që pas pak ditësh të japë konkluzionet e tij për dyshimet mbi afera në dhënien e lejeve të ndërtimit, nga Bashkia e Tiranës.

Këshilli i Ministrave, nuk e publikoi shifrën e huasë që i jep bashkisë së kryeqytetit, e po ashtu as institucioni vendor nuk konfirmoi shifrën, duke u mjaftuar të thotë se bëhet fjalë për disa milionë euro kreditim.

e.l/NOAÂ

KOMENTE