English

Dy milionë rrënjë ullinj janë mbjellë në vend, gjatë vitit në vazhdim

Tiranë, 7 maj NOA - Në muajt e parë të vitit në vazhdim, janë mbjellë në vend, dy milionë rrënjë ullinj, ose një e dhjeta e premtimit qeveritar.

Vitin e kaluar, Kryeministri Sali Berisha kishte premtuar se gjatë mandatit të tij qeverisës do të mbilleshin 20 milionë rrënjë ullinj.

Duke folur në mbledhjen e djeshme të qeverisë mbi këtë argument, Berisha tha se shifra 20 milionë, e parashikuar në projektin e qeverisë, pas zgjedhjeve, mund të pësojë një rishqyrtim për rritje të mëtejshme

"Ne tani po bëjmë studimin e të gjithë territorit, në mënyrë që në orientimet tona të jetë gjithçka e bazuar, por ndërkohë tregu ka mbjellë 2 milionë rrënjë ullinj. Ndaj më duhet të deklaroj këtu se, pas zgjedhjeve, shifra 20 milionë rrënjë ullinj, që dikur dukej shumë e largët, mund të pësojë një rishqyrtim për rritje të mëtejshme", tha Kryeministri.

Kurse iu drejtua fshatarëve: "Unë dua t'i siguroj fermerët se do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë, si me fondin e subvencionit, ashtu edhe me disa lehtësi të tjera që po hartohen ndërkohë, të cilat ata i meritojnë plotësisht".

Duke iu referuar garës normale midis tregut të lirë dhe sektorit publik në këtë drejtim, Kryeministri tha se tregu ecën me një shpejtësi të pa kapshme.

Shqiptarët, vijoi Kryeministri, po i kthehen me shpejtësi njërës prej traditave më të shkëlqyera të tyre, kultivimit të ullirit, më të shëndetshmit, më të dobishmit, të vetëdijshëm se nevoja botërore për prodhimet e tij, vajin dhe produkte të tjera, nuk do të plotësohet menjëherë, për shkak të brezit të kufizuar gjeografik ku kjo pemë e mrekullueshme rritet.

e.l/NOA

KOMENTE