English

Heroina e Stambollit, Basha shkarkon diplomatin shqiptar në Shkup

Turqi, 7 maj NOA - Policia turke dyshohet se ka vënë në pranga një zyrtar të lartë i ambasadës Shqiptare në Shkup, për trafikim droge.

Agim Haxhiu me detyrë zëvendëssekretar i ambasadës dyshohet se është kapur me një sasi prej 65 kilogram heroinë në Turqi.

Arrestimit mësohet të jetë kryer nga policia e Stambollit më datë 2 maj, kur Haxhiu ndodhej në një makinë me targa diplomatike në Stamboll, ku dyshohet se është gjetur dhe sasia e drogës. Policia e Shtetit ka bërë të ditur se nuk disponon informacione në lidhje me arrestimin e diplomatit. I pyetur nga agjencia NOA, zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Klodian Branko deklaroi sot se policia nuk ka dijeni për arrestimin e këtij diplomati. Ndërkohë që edhe Ministria e Jashtme nuk ka konfirmuar zyrtarisht arrestimin e Agim Haxhiut, ndërsa me anë të një deklarate për shtyp lëshuar ditën e sotme ka bërë të ditur se diplomati është liruara nga detyra.

"Ministria e Punëve të Jashtme bën të ditur se Agim Haxhiu, ish-Sekretar i dytë pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, me motivin për braktisje të pajustifikueshme të detyrës që nga data 1 maj deri me datë 6 maj 2009, është liruar nga detyra me urdhër të Ministrit të Punëve të Jashtme. Ky vendim si dhe heqja e çdo privilegji dhe imuniteti diplomatik është bërë e ditur edhe zyrtarisht edhe palës maqedonase, si vend ku ishte i akredituar Haxhiu" thuhej në deklaratën e Ministrisë së Jashtme lëshuar sot në mesditë.

k.k/NOA

KOMENTE