English

Maqedoni, Instituti për Trashëgimi Kulturore të Shqiptarëve në krizë

Shkup, 7 maj, NOA - Drejtuesit e Institutit për Trashëgimi Kulturore të Shqiptarëve në kryeqytetin maqedonas, për herë të parë kanë pranuar krizën, e cila sipas tyre po çon drejt mbylljes së këtij institucioni.

Drejtori aktual i këtij institucioni, Ramiz Abdyli, ka pranuar gjendjen reale, duke shtuar se për gjashtë muaj nuk kanë pranuar mjetet e nevojshme nga Qeveria për realizimin e programit të paraparë.

Ai ka theksuar se edhe pse është caktuar si drejtor, për gjashtë muaj nuk ka pranuar asnjë pagë, së bashku me të punësuarit e tjerë me kontrata pune.

"Themelimi i Institutit është vendim qeverie, ndërsa pikërisht ata e kanë lënë në mëshirë. Janë anashkaluar aktivitetet dhe të punësuarit, ndërsa punojmë vetëm për vullnetin tonë", ka theksuar Abdyli, i cili gjashtë muaj më parë zëvendësoi Mirushe Hoxhën, drejtuesen e deritanishme, e cila poashtu kishte drejtuar kritika dhe ankesa në adresë të qeverisë aktuale për anashkalimin e këtij institucioni. Kabineti i zëvendëskryeministrit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit nuk ka komentuar krizën që ka përfshirë këtë institucion kulturor. Po ashtu, autoritetet qeveritare kanë vendosur edhe transferimin e këtij instituti në një objekt tjetër, duke njoftuar se hapësirat aktuale në Kurshumli An i takojnë Qendrës Kulturore të Turqisë në Maqedoni.

Instituti për Trashëgimi Kulturore të Shqiptarëve është themeluar nga qeveria e kaluar dhe drejtuese e këtij institucioni u zgjodh prof.dr. Mirushe Hoxha.

NOA-INA

KOMENTE