English

PS, Minxhozi: Probleme për pajisjen me letërnjoftime në Ulzë e Martanesh të Matit

Ulzë,7 maj NOA - Banorët e komunës së Ulzës në rrethin e Matit, i bënë thirrje deputetit të zonës Qemal Minxhozi të ndërhyjë për të zgjidhur çështjen e aplikimit për kartat e identitetit.

Banorët e këtyre komunave e kanë ngritur këtë shqetësim prej javësh pranë autoriteteve të shtetit, megjithatë nga ana e tyre përveç premtimeve nuk kanë marrë asnjë reagim konkret.

Ditët e fundit banorëve të Komunës së Ulzës në rrethin e Matit u është thënë të aplikojnë në një komunë tjetër. Ishte kjo arsyeja që zgjedhësit e kësaj komune i bën apel deputetit të zonës Qemal Minxhozi, për të ndërhyrë për këtë çështje kaq të rëndësishme.

"Kam ardhur në komunën e Ulzës me kërkesën e zgjedhësve të mi të zonës elektorale 18 të rrethit të Matit, ku njerëzit kanë vërejtje të mëdha në lidhje me shpërndarjen, ose për aplikimin e kartave të identitetit. Në të gjithë rrethin e Matit ka filluar ky proces, ndërsa në kjo komunë, Ulza, është lënë në harresë, nuk figuron që ekziston" deklaroi deputeti Minxhozi.

"Ditët e fundit është thënë që të shkojnë banorët në një komunë tjetër. Është krejt e pafalshme dhe e palogjikshme, përderisa këta e kanë gjendjen civile në komunën e tyre që të bëjnë atje kartat e identitetit. Ka një kërkesë të ligjshme ashtu siç kanë një kërkesë të ligjshme dhe banorët e komunës së Martaneshit. 670 vetë ende nuk kanë filluar aplikimin e kartave të identitetit. Kjo situatë duhet të marrë fund sa më parë, ndryshe procesi zgjedhor do të kompromentohet rëndë." përfundoi deputeti.

k.k/NOA

KOMENTE