English

Qeveria vendos të lejojë punësimin e të miturve, kundrejt kushtit mjekësor

Tiranë, 7 maj NOA - Qeveria shqiptare ka vendosur që të lejojë zyrtarisht punësimin e të miturve në vend, kur punëdhënësit plotësojnë një detyrim që bëhet ligjor me vendimin e mbledhjes së radhës së këshillit të Ministrave.

Me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave vendosi që punëmarrësit

e mitur, nën 18 vjeç, para fillimit të marrëdhënieve të punës duhet të paraqesin, pranë mjekut të ndërmarrjes, raportin e Komisionit Mjeko-Ligjor, ku të deklarohet aftësia e tyre për punë.

Sipas vendimit, punëdhënësi, gjatë marrëdhënieve të punës, duhet t'u garantojë punëmarrësve të mitur, kontroll periodik mjekësor për gjendjen e tyre shëndetësore, të përshtatur edhe në funksion të rreziqeve, të cilat lidhen me punë, që ai kryen.

Kontrolli periodik mjekësor kryhet çdo:

a) 12 muaj punë, për punëmarrësit e mitur, nën 18 vjeç, të cilët janë të punësuar në punë të lehta;

b) 6 muaj punë, për punëmarrësit e mitur, nën 18 vjeç, të cilët janë të punësuar në punë të vështira, të përcaktuara në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Qeveria përcakton në vendim se punëdhënësi përballon shpenzimet për kontrollet periodike mjekësore të punëmarrësit të mitur dhe garanton ruajtjen e konfidencialitetit të çdo të dhëne, lidhur me gjendjen e tij shëndetësore.

Sipas vendimit, ngarkohen Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Ministria e Shëndetësisë për kontrollin e zbatimit të këtij vendimi.

Rëndom në Shqipëri, të miturit i gjen kudo në punë nga më të ndryshmet. Shumë fëmijë nga 12 deri 18 vjeç, i gjen në pjesën më të madhe të lokaleve dhe shërbimeve hoteliere, ku, kundrejt pagave minimale nga 8 mijë deri 30 mijë lekë, bëjnë punë nga më të ndryshmet, në të zezë, me shkallë të lartë vështirësie.

Disa herë organizatat joqeveritare në vend, kanë ngritur zërin për këtë dukuri kurse qeveria ka deklaruar se është e vendosur të luftojë problemin duke ndërmarrë nisma ligjore si kjo më e fundit që detyron punëdhënësit të marrin të mitur në punë kundrejt kushtit paraprak të gjendjes shëndetësore.

e.l/NOA

KOMENTE