English

Të bëjmë të mundura gjëra që padrejtësisht politika i ka bërë të pamundura

Nga Edi Rama*

Kemi hyrë në fazën finale të përpjekjes tonë opozitare, për të hapur rrugën e ndryshimit të shumëpritur nga qytetarët dhe qytetaret e këtij vendi.

Vijmë, sot, në prag të zgjedhjeve, me një program të ri, me një vetëdije të re dhe me një vullnet të ri. Jo vetëm për t'i fituar zgjedhjet e 28 qershorit, por edhe për ta kthyer fitoren në një instrument për transformimin rrënjësor të vendit tonë. Për ndarjen me politikën e vjetër të së shkuarës dhe me një proces të stërzgjatur premtimesh të pambajtura, zullumesh të papërmbajtura dhe dështimesh që nuk mund të justifikohen.

Sot, është shumë e rëndësishme që në këtë proces, ne të mbajmë parasysh nga njëra anë domosdoshmërinë për ta çuar mesazhin tonë të ndryshimit dhe të shpresës në çdo shtëpi dhe nga ana tjetër domosdoshmërinë për të krijuar mundësi që çdo qytetar dhe qytetare në këtë vend, nga Veriu në Jug, në qytet apo në fshat, të votojë lirisht dhe vota të numërohet ndershmërisht.Â

Jemi të gjithë dëshmitarë të vështirësive të panumërta që kemi hasur për t'i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve mundësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të standardeve të një vendi të NATO-s, të standardeve të një vendi që synon të ulet në tryezën e Bashkimit Evropian, të standardeve të një vendi të denjë për Evropën e vitit 2009.Â

Këto vështirësi të jashtëzakonshme, janë të lidhura në radhën më të parë me mungesën e një vizioni të qartë, me mungesën e përgjegjshmërisë dhe të aftësisë së kësaj qeverie dhe të Kryeministrit të këtij vendi, të cilët nuk kanë bërë deri më sot detyrën e tyre për t'u garantuar njerëzve, kudo, në të gjithë Shqipërinë, të drejtën e votës.Â

Kur mbeten më pak se 2 muaj nga dita e votimit, janë më shumë se dhjetëra e mijëra shqiptarë dhe shqiptare, që ende nuk e kanë të garantuar të drejtën për votim.Â

Kur mbeten më pak se dy muaj nga dita e votimit, janë ende me dhjetëra e dhjetëra komunat e vendit, ku nuk është hapur ende zyra e aplikimit dhe janë qindra fshatrat e vendit, nga ku qytetarët kanë vështirësi dhe kosto shumë të lartë për të patur akses në zyrat e aplikimit.Â

Kjo vështirësi, e cila është një vështirësi e akumuluar për shkak se Sali Berisha dhe qeveria e tij hynë në procesin e jetësimit të reformës zgjedhore dhe të kodit të ri elektoral pa asnjë plan, përbën nga ana tjetër një objektiv të patjetërsueshëm për të gjithë ne, që të bëjmë çfarë është e mundur, që të garantojmë të drejtën e votimit për çdo qytetar.Â

Sot, do të flasim konkretisht në një nga pikat e mbledhjes sonë, për procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti dhe për të gjitha detyrat që organizmi i Partisë Socialiste duhet të kryejë në të gjithë territorin, për të mundësuar që ky proces të mos dështojë.Â

Por, ajo që unë dua të nënvizoj, është se çdo qytetar e çdo qytetare duhet të aplikojë në rast se nuk e ka pasaportën dhe në rast se nuk ka aplikuar ende.Â

Përpjekja jonë e cila solli uljen e konsiderueshme të taksës së votës, edhe pse nuk solli heqjen e plotë të saj, duhet të kurorëzohet me plotësimin e të gjithë listave të njerëzve pa pasaportë në pikat e aplikimit për kartë identiteti.Â

Ne, do ta rimbursojmë edhe këtë taksë vote të mbetur pas fitores së zgjedhjeve të 28 qershorit.

Sot është dita për të kërkuar me këmbëngulje nga votuesit dhe votueset që janë në listat e zgjedhësve dhe që nuk kanë pasaportë, që të marrin kartën e identitetit, që të aplikojnë për kartën e identitetit, që ta marrin mundimin nganjëherë jo të vogël, për të lëvizur nga fshati i tyre drejt pikë së aplikimit dhe për t'u pajisur me kartën e identitetit.Â

Së dyti, dua të theksoj domosdoshmërinë që gjatë gjithë këtij procesi që do të kurorëzohet me zgjedhjet e 28 qershorit, ne të çojmë kudo mesazhin e shpresës përmes paraqitjes së alternativës sonë, e cila është formësuar falë një dialogu të gjatë me shqiptarët dhe shqiptaret, 18 muaj me radhë në "Dialogun me Shqipërinë", dhe përmes së cilës, ne do të jemi në gjendje ta qeverisim Shqipërinë ndryshe, qysh ditën e parë pas fitores.Â

Këtë duhet ta bëjmë dhe do ta bëjmë përmes një fushate zgjedhore, e cila do të jetë fushata e njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit, e cila duhet të shtrijë mesazhin tonë kudo, përmes një organizimi dhe përmes një koordinimi që pa asnjë dyshim jemi në gjendje që në këtë proces t'i kemi në nivelin më të lartë.Â

Së treti, dua të theksoj domosdoshmërinë që në këtë fazë përfundimtare të përpjekjes sonë opozitare, ne të theksojmë shumë qartë dallimin e madh mes nesh, alternativës sonë, forcës sonë të re, si rezultat i një bashkimi të ri, përtej kufijve të partisë sonë dhe përtej kufijve të partive të koalicionit tonë, me kundërshtarin tonë të vjetër, me kundërshtarin tonë të paaftë dhe të papërgjegjshëm, me kundërshtarin tonë të zhytur në një batak korrupsioni, ku rrezikon të mbytet shoqëria jonë, në rast se ne nuk do ta kthejmë mesazhin tonë të shpresës në një votë fituese.Â

Katër vjet të tjera si këto, katër vjet që po mbarojnë janë të pamundura për njerëzit që nuk nxjerrin dot muajin. Ne jemi këtu për të bërë gjithçka na takon, që 28 qershori të jetë dita e ndarjes së madhe me një kapitull të vjetër dhe e hapjes së një kapitulli të ri, ku ne së bashku me njerëzit do të shkruajmë një histori të re.Â

Nuk dua të zgjatem më tej, por duke e mbyllur, dua të theksoj edhe domosdoshmërinë e një solidariteti të jashtëzakonshëm në këtë fazë të fundit të përpjekjes sonë, një solidariteti që duhet të karakterizojë të gjithë përpjekjen tonë të përbashkët, të një solidariteti që duhet të jetë mishërimi i vetëdijes sonë, se jemi këtu për të përfaqësuar njerëzit, se jemi këtu për të zgjidhur problemet e tyre, se jemi këtu për të adresuar ëndrrat dhe shpresat e tyre.Â

Ky solidaritet duhet të përshkojë të gjithë pjesën e mbetur të procesit për përcaktimin e skuadrave përfaqësuese të Partisë Socialiste në të gjithë qarqet e vendit.Â

Ne nuk jemi në këtë betejë për të ndërruar një Kryeministër me një tjetër, për të ndërruar disa ministra me disa ministra të tjerë, për të ndërruar disa pushtetarë të dorës së dytë dhe të tretë në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, me disa pushtetarë të tjerë të dorës së dytë apo të tretë, për të bërë pastaj që të vazhdojë i njëjti avaz që vazhdon prej 18 vjetësh dhe që në 4 vjetët e fundit ka marrë përmasat e një deformimi të skajshëm të qeverisjes së këtij vendi.Â

Ne jemi këtu që së bashku dhe me të gjithë ata që duan ndryshimin e madh, të ndryshojmë rrjedhën e historisë, të ndryshojmë qeverisjen, duke ndryshuar politikën, të ndryshojmë gjithçka që në këtë vend nuk ka ndryshuar thjesht dhe vetëm për shkak të politikës.

Të bëjmë të mundura gjëra që padrejtësisht politika i ka bërë të pamundura.

(*) Fjala e plotë e Kryetarit të PS, sot në Asamblenë Kombëtare

KOMENTE