English

Legjislatura e Kuvendit, sot në ditën e saj të fundit. Do të miratohen 21 projektligjet e mbetura

Tiranë, 11 maj, NOA -Â Legjislatura parlamentare shënon sot ditën e fundit zyrtare për punimet e Kuvendit të Shqipërisë. Për këtë arsye, seanca e sotme parlamentare ka për të qenë e ngjeshur dhe parashikohet të shoqërohet me mjaft debate, sepse është lënë që të miratohet paketa e fundit prej 21 projektligjesh.

Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA, është Konferenca e Kryetarëve ajo që do të caktojë fillimisht në mënyrë zyrtare mbylljen e punimeve të kësaj legjislature parlamentare, duke i lënë vendin seancës së pasdites, në të cilën pritet të shqyrtohet edhe paketa e fundit ligjore, ende e pamiratuar nga deputetët.

Në këtë mënyrë, do të mbyllen punimet e katër viteve të kësaj legjislature dhe vendi do t'i lihet aktiviteteve politike, të fushatës elektorale dhe më pas zgjedhjeve të përgjithshme më 28 qershor.

Ndër projektligjet e rëndësishme që kanë mbetur për t'u miratuar nga Kuvendi janë ai  "Për gjykatat administrative", "Për tregtinë elektronike", "Për gjendjen civile" etj.

Por kalendari i punimeve tregon se ndër të tjera në këtë paketë ligjore për miratim, do të përfshihen edhe 7 kredi të marra së fundmi nga qeveria shqiptare, si ajo për financimin e projekteve të rrugëve dytësore, shërbimet sociale, zhvillimin e zonave rurale malore, rrugën Durrës-Kukës dhe garantimin e projektit të privatizimit të OSSH-së. Me këto ligje, deputetët do t'i japin fund një prej legjislaturave me zhvillimet më intensive, ku përveç nismave të kontestuara janë shënuar dhe konsensuse historike mes PS-së dhe PD-së.

n.e/NOA

KOMENTE