English

Festivali i Kanës, tapeti i kuq gati për të pritur yjet e kinematografisë

Kanë, 12 maj, NOA - Tapeti i kuq tashmë është bërë gati për të pritur ngjitjen në pallatin e Kinematografisë në Kanë producentët dhe regjisorët më të mirë të filmave. Bëhet e ditur se janë mëse 20 filma të cilët do të konkurrojnë mes tyre për trofeun e artë, i cili do të jepet në 24 maj.

Sipas të dhënave, aktori i mirënjohur Brad Pitt pritet të jetë i pranishëm në Kanë me filmin dramatik "Inglorious Basterds" (Bastardët e Palavdishme) të regjisorit të famshëm Quentin Tarantino, një nga 20 filmat konkurues dhe pretendent për fitimin e trofeut Palma e Artë për filmin më të mirë. Por në konkurim bëjnë pjesë edhe filmi "Broken Embraces" me regji të Pedro Almodovar, ku në rolin kryesor intepreton aktorja Penelope Cruz; "Looking for Eric" të regjisorit Ken Loach, që i dedikohet ish-yllit të futbollit francez Eric Cantona; dhe filmi horror "Antichrist" i regjisorit Lars von Trier etj.

Ndërkaq, janë me dhjetëra filma të tjerë të cilët do të shfaqen jashtë konkurimit dhe do të jenë pjesë e diskutimeve dhe marrëveshjeve mes studiove të ndryshme, që janë një tregues tjetër i rëndësisë së Kanës në botën e kinemasë. Gjithsesi, organizatorët vënë në dukje se këtë vit ka një prani më të vogël të studiove filmike, pasi Hollyëood-i ka vendosur të prezantojë arritjet e tij më të mëdha të vitit në një vend tjetër.

n.e/NOA

KOMENTE