English

Flamuri shqiptar ngrihet në komandën e Aleancës për Transformim të NATO-s

Virxhinia, 12 maj, NOA - Flamurët e Shqipërisë dhe Kroacisë u ngritën dje edhe në komandën e Aleancës për Transformim të NATO-s në Norfolk të shtetit Virxhinia, SHBA. Në sheshin përpara ndërtesës kryesore të Komandës, flamurëve të shteteve të tjera iu shtuan dje edhe ata të Shqipërisë dhe Kroacisë, dy anëtarëve më të rinj të Aleancës. Në ceremoninë përkatëse që u zhvillua me këtë rast, mori pjesë edhe ministri shqiptar i Mbrojtjes, Gazmend Oketa.

"Është realizimi i të gjitha atyre përpjekjeve dhe reformave që qeveritë shqiptare, forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë kanë ndërmarrë në vite. Është një arritje e bukur që meriton falenderime për të gjitha vendet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, të cilat kanë mbështetur Shqipërinë dhe Kroacinë në rrugën drejt anëtarësimit në NATO", u shpreh Oketa lidhur me një fakt të tillë.

Komanda e Aleancës për Transformim është komanda e vetme e NATO-s në Amerikën Veriore. Ajo drejton procesin e transformimit të Aleancës përmes zhvillimit të koncepteve të reja dhe eksperimenteve ushtarake. Nga ana e tij, kreu i Komandës së Aleancës për Transformim, gjenerali Xhejms Matis thotë se Shqipëria dhe Kroacia bënë shumë përgatitje për t'u pranuar në NATO. "Shqipëria dhe Kroacia punuan shumë ngushtë me njëra tjetrën dhe me ne. Shqipëria dhe Kroacia janë dy vendet më të përgatitura për anëtarësimin në NATO në kujtesën tonë si Aleancë. Këto dy vende kanë bërë më shumë se çdo vend tjetër për t'u përgatitur. Prandaj ne mezi presim që të fillojmë bashkëpunimin", u shpreh ai me këtë rast gjatë ceremonisë.

Oketa më pas shtoi se e gjithë klasa politike shqiptare e sheh këtë anëtarësim jo thjesht si përfitim por edhe si një burim detyrimesh. Shqipëria, tha ai, është e përgatitur të vazhdojë me të njëjtën vendosmëri për realizimin e këtyre detyrimeve.

n.e/NOA

KOMENTE