English

Dalja e sekretit hetimor për "Gërdecin", Prokuroria e Përgjithshme hap çështje penale

Tiranë 14 maj NOA - Prokuroria e Përgjithshme doli me një qëndrim para pak minutash, lidhur me ngjarjen e 15 marsit 2008 të ndodhur në Gërdec, ku ajo ka regjistruar procedimin penal nr.3 dhe ka vënë nën akuzë 30 të pandehur.

Kjo çështje, është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lartë.

"Në përfundim të hetimeve të kësaj çështjeje në zbatim të Kodit të Procedurës Penale, për të realizuar një mbrojtje sa më efektive gjatë gjykimit, të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre janë njohur me të gjitha aktet dhe provat e administruara në këtë procedim penal, duke marrë kopje të tyre", - deklaron Prokuroria e Përgjithshme e drejtuar nga Ina Rama.

Ajo sqaron se "dhënia e këtyre akteve është dokumentuar ligjërisht me paralajmërimin për mospublikimin e tyre".

Institucioni qendror i akuzës evidenton faktin se ditët e fundit në media janë publikuar disa akte të procedimit penal nr.3 të vitit 2008.

Ndërsa vëren se dhënia e këtyre materialeve mediave, nga personat të cilët kanë tashmë detyrimin ligjor për të mos i publikuar, jo vetëm dëmton zhvillimin e procesit të rregullt ligjor në gjykimin e kësaj çështje, por në to ka dhe akte që janë sekrete, e që përhapja e tyre përbën vepër penale.

Në këto kushte, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 1799, duke filluar hetimet për veprën penale të "Zbulimit të akteve dhe të dhënave sekrete", parashikuar nga neni 295/a i kodit penal.

e.l/NOA

KOMENTE