English

Vrasja e dy policëve, çelet seanca e parë për të pandehurin Afrim Hasani

Tiranë, 15 maj/NOA - Avokati mbrojtës i të pandehurit për vrasjen e dy policëve, nuk është paraqitur në seancën e sotme, e para e procesit për Afrim Hasanin.

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda, u paraqit sot, i pandehuri Afrim Hasani, i akuzuar për vrasjen e dy punonjësve të policisë në Kukës.

Prokurori Ardian Nezha, i cili ka renditur për Hasanin, akuzat për vrasje për shkak të cilësive të veçanta, armëmbajtje pa leje dhe shkatërrim prone, pranoi shtyrjen e shqyrtimit gjyqësor për një seancë gjatë ditëve të ardhshme, për shkak të mungesës së avokatit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet ndaj Afrim Hasanit, i akuzuar për vrasjen e dy efektivave të Policisë Rrugore në qytetin e Kukësit dhe dosja tani ka nisur të ndiqet në gjykatë.

Nga hetimet e prokurorisë, ka rezultuar se më datën 16 mars të vitit 2009, në qendër të fshatit Shëmri Kukës, në lokalin e shtetases Adriana (Lume) Brinja, kanë hyrë me forcë në lokalin e Zaim Brinja dhe i pandehuri Afrim Hasani, i cili menjëherë sapo ka hyrë në lokal ka thyer pa asnjë motiv një pasqyrë, dy karrige dhe gota e pjata që ndodheshin në një tavolinë të lokalit.

E zonja e lokalit ka komunikuat me efektivat e policisë, Ramadan Hila, Ajet Hila dhe Shkëlzen Dobrushi duke u kërkuar atyre ndihmë për dhunën dhe dëmtimet që Hasani, i kishte shkaktuar në lokalin e saj.

Menjëherë sapo kanë marrë dijeni në lidhje me ngjarjen, tre punonjësit e policisë Shkëlzen Dobrushi, Ramadan Hila dhe Ajet Hila kanë dalë në aksin rrugore Kukës-Tiranë, për të bllokuar automjetin me të cilën lëvizte i pandehuri Afrim Hasani. Rreth orës 15:15, tre policët kanë parë dhe ndaluar automjetin tip "Benz Mercedes D" 240 ngjyrë e kuqe, me targë KR 3778 A ku në vendin e parë të tij ishte i ulur si pasagjer, i pandehuri Afrim Hasani.

Pas ndalimit të automjetit nga punonjësit e policisë, është konstatuar se në drejtimin e timonit të mjetit ishte shtetasi Mentor Hila, pronar i mjetit, në sediljen e parë të pasagjerit ishte i pandehuri Afrim Hasani dhe në sediljen e pasme, ishin shtetasit Genc Avdia dhe Zamir Avdia.

Pasi kanë ndaluar makinën menjëherë, punonjësit e policisë iu kanë bërë thirrje për të zbritur nga makina këtyre personave, duke i kërkuar shoferit dokumentet e mjetit. Në këto momente i pandehuri Hasani ka nisur të konfliktohet me punonjësit e policisë. Në kërkesën për gjykim, prokuroria shpjegon se efektivat kanë vënë në dijeni sallën operative.

Në lidhje me këtë ngjarje, policët Ramadan Hila, Shkëlzen Dobrusha kanë bërë kallëzim penal për veprën penale të "kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë".

Pas kallëzimit i pandehuri, pasi ka siguruar një armë automatike, konkretisht automatikun tip "AK" me nr 14214879, të cilin siç deklaron dhe vetë, e kishte të fshehur jashtë banese, pasditen e datës 23 mars rreth orës 20:30 ka hyrë në lokalin e shtetasit Isa Dobrusha dhe ka qëlluar dy punonjësit e policisë, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hilaj me të cilët ishte konfliktuar një javë me parë.

k.k/NOA

KOMENTE