English

Berisha: S'duam që një pjesë e Shqipërisë të bëhet Evropë dhe tjetra të mbetet Afrikë

Nga Alba Filipi

Korçë, 17 maj/ NOA - Kryeministri Sali Berisha ka vizituar disa komuna të qarkut të Korçës, ku premtoi se në mandatin e dytë qeveria do të financojë për fermerët shqiptarë çdo projekt të domosdoshëm për ta.

Kurse theksoi dëshirën se "ne nuk duam që një pjesë e Shqipërisë të bëhet Evropë dhe pjesa tjetër të mbetet Afrikë".

Ne duam që Shqipëria të jetë evropiane në Korçë, Tiranë, Potgorie, në Voskopojë dhe kudo, plotësoi Berisha.

Më tej ai bëri një krahasim: "Katër vjet më parë, kur ne shpallëm programin tonë e dinim se sfida me e madhe për ne ishte urbanizmi i fshatit shqiptar. E dinim se kjo sfidë kërkonte miliarda, e dinim se kjo sfidë, kjo përballje do të thoshte se duhej të dinim të dilnim nga një situatë e trashëguar tejet e rëndë".

Ai premtoi se "në tavolinën time, në axhendën dhe programin tim nuk ka asgjë tjetër përveç interesave tuaja".

Kurse pranoi se "sigurisht që nuk mundemi të plotësojmë çdo interes të çdo individi, por ne mundemi dhe do të plotësojmë çdo interes fisnik, të çdo individi".

Më vonë, Berisha ka pranuar edhe se hoqi dorë nga premtimi për akcizën e karburantit.

"Është e vërtetë se ne hoqëm dorë nga akciza e naftës sepse ajo avullonte, por është e vërtetë se për fermerët ne kemi katërfishuar shumën e akcizës së naftës, në projekte", - deklaroi Berisha.

Këtë vit qeveria ka vendosur të pranojë dhe të mos kthejë asnjë projekt tuajin që ju e meritoni.

Pasi u ndal gjatë në punën e bërë nga qeveria, Berisha shprehu një dëshirë: Ne do ti fitojmë këto zgjedhje, do të rikthejmë fitoren e madhe të 92-it, do ta rikthejmë Shqipërinë në blu, ashtu siç është".

a.f/NOA

KOMENTE