English

Legaliteti, Spahiu: Në zgjedhje shkojmë me imazhin më pozitiv të 18 viteve

Tiranë, 18 maj NOA - Kryetari i PLL (Partia Lëvizja e Legalitetit), Ekrem Spahiu së bashku me nënkryetarin Basha prezantuan në qytetin e Lushnjës, 16 kandidatët e listës shumë-emërore të partisë "Lëvizja e Legalitetit" për qarkun Fier.

Spahiu tha se "Shqipëria shkon në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit me imazhin dhe bilancin më pozitiv të këtyre 18 viteve".

Ai përmendi disa nga arritjet kryesore si anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ratifikimin e MSA nga 27 vende anëtare të BE dhe aplikimin si vend kandidat, nënshkrimin e marrëveshjes për liberalizimin e vizave, ritmet e larta dhe të qëndrueshme të zhvillimit ekonomik, investimet në mbarë vendin, dyfishimin e pagave dhe pensioneve, etj."

Duke folur për alternativën e PLL Spahiu tha se Legaliteti paraqitet para elektoratit me programin e tij, filozofinë e vet qeverisëse dhe traditën më të mirë në drejtimin e vendit që janë vlera dhe kontribute të drejtpërdrejta të saj në Aleancën e Ndryshimit.

Kryetari i PLL u shpreh i sigurt se qytetarët shqiptar i kanë të ditura dhe të prekshme ndryshimet pozitive që solli kjo mazhorancë qeverisëse dhe se elektorati në zgjedhjet e 28 qershorit do të votojë për Aleancën e Ndryshimit si grupimi politik që është më afër interesave të tyre.

Në emër të 16 kandidatëve të qarkut Fier foli Myslym Murrizi i cili ndër të tjera siguroi të pranishmit se do të jetë përfaqësues i denjë i Legalitetit, Aleancës së Ndryshimit, Lushnjës dhe qarkut të Fierit në parlamentin e ri që do të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009.

e.l/NOA

KOMENTE