English

BE: Shqipëria, 100 për qind e sigurt heqja e vizave

I plotë - Takimi i Parë i Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit BE-Shqipëri në Bruksel dhe konferenca e plotë për shtyp e z. Lulzim Basha, Ministër i Punëve të Jashtme dhe z. Tomas Pojar, Zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke

Tiranë, 19 maj/NOA - Takimi i Parë i Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit BE-Shqipëri në Bruksel përfundoi dje në orët e vona të mbrëmjes dhe pak para mesnate u zhvillua edhe një konferencë për shtyp, e z. Lulzim Basha, Ministër i Punëve të Jashtme dhe z. Tomas Pojar, Zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke

Një pyetje e rëndësishme, e parashtruar për z.Pojar dhe për z.Basha, ishte ajo për heqjen e vizave mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian.

Pojar pranoi se ka mendime të ndryshme mes anëtarëve të BE-së për procesin e liberalizimit të vizave.

Kurse theksoi se "është e drejtë dhe duhet të përmendet se Shqipëria ka bërë progres por jo të gjitha vendet e kanë nisur nga e njëjta pikë".

"Jam 100% i sigurt se procesi i liberalizimit të vizave do të ecë përpara ashtu siç jam 100% i sigurt se ne do të vlerësojmë progresin e secilit vend por tani është shumë shpejt për të folur se cili do të jetë vendimi i Këshillit", qartësoi Pojar.

***

Një tjetër pyetje në kuadrin e vizave ishte ajo për ministrin shqiptar: "Nëse Shqipëria nuk do të jetë në rekomandimin e Komisionit Evropian përsa i përket liberalizimit të vizave, kush do të jetë përgjegjës, kujt do t'i adresohet përgjegjësia për këtë çështje, qeverisë apo BE-së?".

Lidhur me këtë pyetje, Basha u përgjigj se procesi i pajisjes me pasaporta biometrike është një tjetër kriter që ne kemi plotësuar përsa i përket udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

"Ju e dëgjuat ZvPresidentin e Komisionit në Tiranë, dëgjuat disa ministra të tjerë të jashtëm të BE-së që thanë se Shqipëria ka plotësuar shumicën e kritereve dhe është në rrugë të mbarë në plotësimin e pjesës së mbetur", citoi z.Basha.

Ai shtoi se një gjë është e sigurt, "ne jemi të vendosur për të bërë çdo gjë që duhet për të plotësuar çdo kriter të mundshëm që t'i mundësojmë Shqipërisë marrëveshjen me Bashkimin Evropian për liberalizimin e vizave".

Basha qartësoi se "ne nuk kemi asnjë arsye, absolutisht asnjë arsye të mendojmë a të besojmë, në bazë të çdo informacioni të mundshëm apo edhe të mbledhjes së sotme, se ka diçka që nuk shkon mirë në këtë proces. Është e kundërta, procesi po ecën përpara, dhe unë personalisht jam shumë optimist dhe i mbahem opinionit se ne jemi në rrugë të mbarë për të siguruar lëvizjen e lirë të shqiptarëve në të gjithë zonën e Shengenit, në një të ardhme të shpejtë".

***

Argumenti i zgjedhjeve ishte gjithashtu i rëndësishëm dhe fillimisht iu përgjigj z.Pojar, ishte ajo për zgjedhjet në Shqipëri.

"Ne, sigurisht diskutuam lidhur me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet në Shqipëri në mënyrë që ato të jenë sa më të drejta e demokratike që të jetë e mundur, është në interesin tonë, është në interes të shqiptarëve", - deklaroi z.Pojar.

Ai tregoi se "diskutuam lidhur me çështjen e lëshimit të kartave të identitetit dhe, sigurisht, diskutuam rëndësinë e bashkëpunimin me misionin vëzhgues, rëndësinë e bashkëpunimit mes ODHIR dhe autoriteteve shqiptare".

Kurse bëri të qartë se "është në interesin vital të BE-së që ky bashkëpunim të ecë përpara dhe ne pamë dhe vlerësuam sukses dhe mirëkuptim të arritur gjatë ditëve të fundit dhe shpresojmë se kjo do të vazhdojë në këtë proces në të njëjtin drejtim që e kemi parë gjatë ditëve të fundit. Jam i bindur që do të vazhdojë".

Për të njëjtën pyetje, ka folur dhe z.Basha. Ai tha se Qeveria është e angazhuar për zgjedhje të lira e të drejta në Shqipëri. Punuam së bashku me opozitën për të ndryshuar kushtetutën dhe kodin.

"Po i implementojmë këto ndryshime nëpërmjet funksionimit të KQZ-së. Kemi vënë në jetë infrastrukturën më moderne, të gatshme sot për sot në Evropë, për regjistrin kombëtar civil dhe për kartat e identitetit të votuesve", - deklaroi Basha.

Ai nënvizoi se "kemi bërë bashkë një paketë për të stimuluar shqiptarët që të aplikojnë për këto karta identiteti dhe procesi po ecën shumë mirë dhe unë informova sot Këshillin lidhur me këto zhvillime".

Po ashtu Basha tregoi se Qeveria kërkoi vitin e kaluar numrin më të lartë të vëzhguesve, të vëzhgojnë zgjedhjet sepse është po aq e rëndësishme për Shqipërinë, që këto zgjedhje të jenë të lira e të drejta dhe të takojnë standardet evropiane, e po ashtu të jenë të certifikuara si të tilla nga vëzhguesit elektoralë.

Në lidhje me këtë, - tha Basha, - ne kemi bërë thirrje dhe mirëpresim misionin më të madh vëzhgues në Shqipëri, të vëzhgimit të zgjedhjeve dhe t'i garantojmë dhe ofrojmë këtij misioni kushtet më të mira për punën e tij.

Më tej Basha tha se Qeveria e Shqipërisë do të japë gjithë ndihmën e nevojshme në këtë proces dhe presim që ky grup i vëzhgimit të zgjedhjeve më 28 qershor dhe një ditë më pas të certifikojë ato që ne presim të jenë zgjedhje të standardeve të plota evropiane, duke mbyllur një kapitull e duke arritur një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.

***

Ecuria e procesit zgjedhor, u demonstrua qartë në bruksel se është shumë e rëndësishme për integrimin e vendit tonë.

Z.Pojar kujtoi faktin se "e kam thënë edhe disa herë të tjera se mbarëvajtja e zgjedhjeve është shumë thelbësore, jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por edhe qeverinë dhe opozitën dhe çdo palë tjetër të përfshirë".

Kurse paralajmëroi se "sigurisht që Bashkimi Evropian do të monitorojë me kujdes dhe nga afër procesin parazgjedhor dhe vetë zgjedhjet apo edhe formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve".

Këtu ai u shpreh se është "100% i bindur dhe i sigurt që është bërë një progres i madh gjatë këtyre viteve të fundit në çdo front të mundshëm në rrugën drejt integrimit me Bashkimit Evropian që do të vazhdojë pavarësisht ndryshimit ose jo të qeverisë pas zgjedhjeve".

Njëkohësisht shprehu mendimin se është në interesin jetësor të Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian", - duke shtuar se - "Shqipëria ka bërë shumë progrese".

Pojar renditi edhe faktin se MSA është ratifikuar dhe ka hyrë në fuqi, kurse theksoi faktin tjetër se "kemi këtë takim sot këtu, Shqipëria është anëtarë e NATO-s".

Menjëherë më pas, evidentoi se "ka edhe detyra të tjera për t'u përmbushur në të njëjtët binarë me të cilët është arritur deri këtu".

"Ka shumë punë për t'u bërë, por kam besim se Shqipëria edhe pas zgjedhjeve do të vazhdojë të ecë në të njëjtin drejtim", - deklaroi z.Pojar.

Ai siguroi në fund se "Bashkimi Evropian do të mbikëqyrë këto procese nga afër dhe do të japë mbështetjen e tij në integrimin evropian sepse është në interesin e vetë Bashkimit Evropian".

e.l/NOA

Lexoni versionin anglisht të deklaratës së mbrëmshme në Bruksel, këtu

KOMENTE