English

Në mbështetje të studentëve të Tetovës, protestë për universitetin e humbur

Tetovë, 23 Maj/ NOA - Dhjetëra mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë të Maqedonisë, dolën në rrugë për ta thyer edhe njëherë heshtjen e politikanëve shqiptarë karshi shkeljes së të drejtave të popullit tonë gjithandej ku jeton, bëri të ditur Lëvizja Vetëvendosje.

Tashmë i njohur si shkelës i vazhdueshëm i këtyre të drejtave, shteti i Maqedonisë çdo ditë e më shumë po e vështirëson jetën e shqiptarëve atje.

Duke mos iu tërhequr vërejtja as nga politikanët shqiptarë e as nga ata ndërkombëtarë, ky shtet po merr hov çdoherë e më tepër në shkeljen e edhe të atyre të drejtave më themelore që do të duhej t'i gëzonin qytetarët shqiptarë.

Universitetit të Tetovës, i cili për dhjetë vite (deri më 2004) funksionoi duke u trajtuar nga ana e shtetit të Maqedonisë si i jashtëligjshëm vetëm për shkak se në të mësohej në gjuhën shqipe, edhe pse më në fund u pranua si legal, tani po i krijohen të tilla rrethana që do ta vështirësonin tej mase funksionimin e tij.

Këto rrethana, shteti i Maqedonisë po i krijon në mënyrë që Universitetit të Tetovës t'i bëhet pothuajse e pamundur puna dhe aktiviteti arsimor e akademik.

Arsyeja është e njëjtë me atë të para dhjetë vitesh: Universiteti i Tetovës vazhdon të jetë i shqiptarëve dhe në gjuhën e tyre.

Në njërën anë, në Kosovë minoritetit Serb të kontrolluar nga strukturat paralele të Serbisë, edhe pse vazhdimisht kundër shtetit të Kosovës, i ofrohen të drejta të tilla që nuk i gjen askund në rajon, në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës, shqiptarëve u shkelen edhe të drejtat më elementare. Ata diskriminohen dhe keqtrajtohen vetëm për shkak se janë shqiptarë; edhe pse kërkesat e tyre ekzistenciale nuk janë kurrfarë kërcënimi për shtetet në të cilat jetojnë ata.

Lëvizja Vetëvendosje! tha se i mbështet plotësisht studentët dhe qytetarët shqiptarë të Maqedonisë të cilët të enjten demonstruan kundër vendimit të Qeverisë së Maqedonisë për shkurtimin e buxhetit për Universitetin e Tetovës.

Përvoja e deritanishme u ka treguar shqiptarëve kudo që ndodhen që lënia e zgjidhjes së problemeve të tyre në dorën e politikanëve që shtiren se i përfaqësojnë, nënkupton heqje-dorë nga zgjidhja e problemeve. Vetëm presioni përmes angazhimit të organizuar të shqiptarëve do të mund të rezultonte me zgjidhjen e problemeve të tyre.

Në këtë pikë, Lëvizja Vetëvendosje! u bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, kudo që jetojnë, që vazhdimisht të reagojnë kundër padrejtësive të shumta që po u bëhen.

a.b/NOA

KOMENTE