English

Pllakos zi në familjen Çapja, mbyten nënë e bijë, në gjendje shoku 3-vjeçari

Elbasan, 24 maj NOA - Jeta e një vajze vetëm tetë vjeçe është shuar tragjikisht së bashku me atë të nënës së saj, gjatë një përpjekjeje fatale për të kaluar lumin Devoll, kur në një rrjedhë të rrëmbyer, u përfshinë nga kredhat e ujit që i shkaktuan fundin e dhimbshëm.

Në këtë tragjedi, ka arritur të shpëtojë vetëm djali 3 vjeçar i familjes Çapja, i cili u arrit të largohet nga rreziku i vdekjes, kur një banor i zonës, kalimtar i rastësishëm, e dalloi në përpëlitje mbi ujë dhe rendi ta ndihmojë për ta nxjerrë nga lumi.

Ngjarja e rëndë nisi sot në orën 08.30 të mëngjesit, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA që citon burime në vendngjarje dhe ato policore që po i vazhdojnë hetimet dhe kërkimet për gjetjen e trupit të të voglës.

Selvije Çapja, rreth 45 vjeçe, banore e fshatit Dushk, i cili gjendet ndërmjet komunave Mollas dhe Grekan në rrethin Elbasan, ishte duke shkuar në fshatin fqinjë për të takuar të afërmit e tyre. Me vete kishte marrë Rexhinën tetë vjeçe dhe djalin tjetër, tre vjeçar.

Duke dashur të kalojnë në anën tjetër, u duhej të përshkonin disa dhjetëra metra ujë të lumit Devoll. Duke i kapur fëmijët përdore, nëna 45 vjeçare u përpoq të çajë rrjedhën e lumit por në një moment ajo ishte kaq e rrëmbyer sa i ndau duke i shtyrë gjithnjë dhe më poshtë.

Në këto momente, një fshatar i cili po kalonte rastësisht në vendin e ngjarjes, ka dalluar një fëmijë që po mbytej në lumë dhe ka vrapuar ta shpëtojë.

Banori është hedhur në ujë, duke arritur të shpëtojë vetëm djalin tre vjeçar, kurse nënë e bijë i kishte marrë rrjedha qindra metra më poshtë.

Alarmi që ka përfshirë familjarët e të përfshirëve në aksident dhe banorët e tjerë të zonës, është pasuar nga mbërritja e forcave policore dhe polumbarëve të ekipeve të shpëtimit.

Pak pas mesdite u bë i mundur të gjendej trupi i 45-vjeçares Selvije Çapja, kurse vajza tetë vjeçare Rexhina, ende nuk është gjetur dhe konsiderohet e zhdukur në ujërat e Devollit, por kërkimet nuk janë ndërprerë.

Sakaq tre vjeçari E. Çapja, gjendet në gjendje shoku pas situatës së frikshme që përjetoi, kur u përball me vdekjen e sigurt që përfshiu nënën e tij dhe të motrën pesë vjet më të madhe.

e.l/NOA

KOMENTE