English

G99, Kojdheli: Qeveria ka dështuar për liberalizimin e vizave, të heqë moratoriumin e skafeve

Tiranë, 26 maj NOA - Kandidati i G99 për qarkun e Vlorës, Genci Kojdheli me anë të një deklarate për shtyp ka kërkuar sot që qeveria të heqe moratoriumin e skafeve.

"G99 me keqardhje njofton gjithë Shqiptarët se edhe një herë qeverisja e tyre i ka lënë ata në baltë. Raporti i fundit i Komisionit Evropian i tregon qeverisjes së Berishës se qeveria e tij ka dështuar në përmbushjen e standardeve të nevojshme për liberalizim e lëvizjes së shqiptarëve në hapësirën Schengen" u shpreh Kojdheli.

Me tej ai citon raportin ku sipas tij, qeveria ka dështuar në përmbushjen e standardeve që lidhen me migracionin e paligjshëm, ripranimin dhe menaxhimin e integruar të kufijve, mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, respektimin e pavarësisë së gjyqësorit e veçanërisht prokurorisë, si dhe në luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit.

"Sot, mazhoranca me paturpësinë më të madhe po mundohet t'i premtojë edhe një herë shqiptarëve arritjen e liberalizimit të vizave, por në mandatin e saj të dytë, ndërsa fqinjët tanë si Maqedonia e Mali i Zi presin të marrin lëvizjen e lirë brenda vitit 2009, pasi kanë përmbushur standardet që qeveria shqiptare s'qe e zonja të përmbushte. G99 është e sigurt se shqiptarët tanimë e kanë kuptuar që kjo mazhorancë nuk ka as aftësinë e duhur dhe as vullnetin e nevojshëm për të përmbushur standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian" shtoi më tej Kojdheli.

Ai tha se "G99 gjithashtu i bën thirrje qeverisë që t'i japë menjëherë zbatimit të paligjshëm të moratoriumit për mjetet motorike lundruese. Ky moratorium është tanimë i jashtëligjshëm pasi efektiviteti i tij ligjor ka mbaruar, pavarësisht se strukturat e qeverisë e të policisë vazhdojë ta zbatojnë atë në mënyrë të paligjshme. Â Lejimi i gjithë operatorëve turistik të vendit për të përdorur mjete motorike lundruese është i domosdoshëm në kuadrin e sezonit turistik. Nëse ka një moratorium që duhet të zbatohet në Shqipëri, është moratorium për të ndaluar politikanët e paaftë e të papërgjegjshëm, dhe ai do të firmoset nga shqiptarët në datën 28 Qershor".

k.k/NOA

Â

KOMENTE