English

Faqet e para të gazetave në Shqipëri dhe analizë e titujve kryesorë 29 Maj

Tiranë, 29 maj, NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Premte, 29 Maj 2009. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.

Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit.

Për t'u abonuar në këtë shërbim dhe për t'u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor të ditës së sotme hapjen zyrtare të fushatës elektorale dhe deklaratat e bëra dje në mitingun e hapjes në Qytet Studenti nga Partia Socialiste. Ato flasin edhe mbi lajmin që rreth 40 studentë maqedonas u helmuan gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë. Ndërkaq, një vend në faqen e parë të tyre, zë edhe publikimi i rezultateve të sondazhit të instititut "Gani Bobi" për qarkun e Elbasanit.

E përditshmja "Shekulli" ka si argument kryesor të ditës "Vendimi: Sa do të paguhen komisionerët", i cili flet mbi vendimet më të fundit të marra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ai shoqërohet edhe me faktin se 3 parti kërkojnë ndryshimin e listave.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është "Edi Rama hap fushatën - Unë kryeministër për ndryshim". Si edhe ai me titullin "Helmohen 45 studentë maqedonas, konsumuan pica dhe pije në lokal". Artikulli jep detaje sesi ata u shoqëruan në gjendje të rëndë menjëherë në Spitalin Ushtarak.

Gazeta "Panorama" publikon si një ndër artikujt kryesorë sot atë me titullin "Edi Rama, pse dua të jem kryeministër", i cili jep detaje mbi deklaratat e hedhura dje nga kryesocialisti gjatë manifestimit organizuar me rastin e hapjes së fushatës elektorale nga Qyteti Studenti.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin "Kryebashkiakja e Shijakut braktis PS-në për LSI-në".

"Lista e dytë do ketë 4 mijë emra të përndjekurit" është një artikull tjetër i kësaj gazete i cili tregon emrat e atyre që kanë dërguar dosjet në ministrinë e Drejtësisë për të përfituar nga fondi 1 miliardë lekë i caktuar nga qeveria për dëmshpërblim.

Ndërsa në rubrikën e kronikës do të lexoni artikullin "Kërcënohen prokurorë e gjyqtarë në procesin e Lul Berishës".

"Gazeta Shqiptare" ka si një ndër titujt kryesorë të saj "Incidenti me të verbrit, shkarkohet gardisti që puthi dhunuesit e të verbërve". Ai tregon mbi një furtunë ndëshkimesh në Gardën e Republikës, pas incidentit me biznesmenin i cili dhunoi një javë më parë disa gra të verbra e të moshuara që protestonin para Kryeministrisë.

Një artikull tjetër i kësaj të përditshme është edhe "PS çel fushatën, Rama: Unë kryeministri që do të ndryshoj Shqipërinë", i cili jep detaje mbi mitingun e djeshëm të socialistëve me rastin e hapjes së fushatës elektorale.

Gazeta "Shqip" hapet me titullin "Rama, më votoni kryeministër". Ai tregon se si PS-ja hapi zyrtarisht fushatën, ndërsa që dje nisi numërimi mbrapsht drejt 28 qershorit.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titull "Legalizimiet, hetim për pastrim parash, udhëzim për kontroll mbi mënyrën si u ndërtuan ndërtimet informate".

Si edhe "Solis: Berisha po pushkaton drejtorën tanë", i cili flet për denoncimin që PBDNJ bën pas divorcit zyrtar me të djathtën.

E përditshmja "Koha Jonë" hapet me titullin kryesor "Sondazhi, PD 6 pikë para në Elbasan", i cili publikon rezultatet e sondazhit të fundit të institutit "Gani Bobi" për qarkun e Elbasanit. Sipas tyre, PD rezulton me 38.6 %, ndërsa PS me 32.6 % pas saj.

Ndërkaq, një vend kjo gazetë i lë edhe pasqyrimit të mitingut të djeshëm të Partisë Socialiste me rastin e hapjes së fushatës elektorale në artikullin me titull "Mitingu, PS: Vota për LSI, votë për armikun".

Por në faqet e kësaj gazete do të gjeni edhe artikullin "Durrës-Kukës, sa shumë përfitime për emigrantët".

Gazeta "Korrieri", hapet me titullin "Shitja e shtëpive dhe dyqaneve, tabela me çmimet e reja për vitin 2009", i cili ka të pasqyruar brenda tij listën e re për Tiranën dhe rrethet.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titull "Amnesty International: Gërdeci, trafik dhe korrupsion, akuza ndaj qeverisë".

Por në këtë gazetë ju do të lexoni edhe denoncimin e rrallë të një burri në artikullin " Gruaja më rreh, dua mbrojtje".

Gazeta "Libertas" hapet me titullin kryesor "Nisin zyrtarisht ethet e fushatës", i cili bën një pasqyrim të detajuar të mitingut të djeshëm të zhvilluar nga PS për hapjen e saj.

Në këtë gazetë, do të lexoni edhe artikullin "Fushata nis me vonesa procedurash", i cili tregon vonesat konkrete të procesit zgjedhor, duke i krahasuar me ato që parashikohen në kodin elektoral.

Një artikull tjetër brenda kësaj gazete është edhe ai që pasqyron të gjitha vlerësimet që përmbaheshin për Shqipërinë në raportin e Amnesty International.

Gazeta "Standard" hapet me titullin "Sondazhi i Gani Bobit, betejën e Elbasanit e fiton PD", i cili paraqet rezultatet e publikuara të institutit "Gani Bobi" për qarkun e Elbasanit.

Një artikull tjetër është edhe ai me titullin "PS hap fushatën me Gramoz Ruçin dhe Skënder Gjinushin".

Një vend i lihet edhe çështjes së dëmshpërblimeve të të përndjekurve në artikullin me titull "Lista e dytë e ish-të përndjekurve, në proces verifikimi për dëmshpërblimin".

Gazeta "Metropol" ka si një ndër titujt kryesorë të saj në numrin e sotëm artikullin "KQZ vendos renditjen e partive në fletën e votimit", i cili tregon renditjen reale të koalicioneve dhe partive, e tregon se qenkan përjashtuar nga gara dy parti të tjera.

Një shkrim tjetër i kësaj gazete është edhe "Pronat, ja si regjistrohen oborret në përdorim", si edhe "Pensionet e emigrantëve, ja skema e re për sigurimet".

Sa i përket çështjes së të përndjekurve, kjo gazetë paraqet artikullin "Ministria e Drejtëisë flet për listën e dytë të publikuar në media".

n.e/NOA

KOMENTE