English

Pas FMN-së, Kosova tani pretendon të anëtarësohet edhe në Bankën Botërore

Prishtinë, 30 maj, NOA - Pas anëtarësimit në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Kosova duket se do të jetë së shpejti edhe anëtare e Bankës Botërore.

Kjo pas zyrtarizimit të një ligji të posaçëm nga parlamenti i Kosovës, për anëtarësimin në këto dy institucione kyçe të financave botërore.

Duke përmbushur këtë nismë ligjore, Kosova ka arritur të përmbushë detyrimet ligjore për marrjen përsipër të të gjitha detyrimeve dhe përgjegjësive që paraqet anëtarësimi në këto institucione të larta financiare.

Pas anëtarësimit në Fondin Monetar, është hapur rruga për votimin në Bankën Botërore, një proces ky që mund të përmbyllet deri më 3 qershor. Autoritetet në Prishtinë besojnë se kah fundi i qershorit do të jenë në Uashington për të nënshkruar pranimin e Kosovës në këto dy organizata financiare ndërkombëtare.

Të dyja këto institucione janë të pranishme në Kosovë që nga përfundimi i luftës, por deri tash vendi nuk ka përfituar nga mbështetja e tyre financiare, përveç donacioneve.

Nga ana e tij, drejtori ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Age Bakker, e vlerësoi këtë ngjarje si një hapat më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës por edhe përfshirjen e saj edhe në mekanizmat e tjerë të rëndësishëm financiar ndërkombëtarë.

"Është me rëndësi përfshirja në këtë komunitet sepse Fondi Monetar Ndërkombëtarë është një institucion për qëndrueshmërinë financiare ndërkombëtare. Anëtarësimi ka të drejta dhe detyrime", tha Bakker i cili do të hartojë edhe një raport për Kosovën që sipas tij, mund të krijojë besim tek investuesit ndërkombëtarë se Kosova është vend i mirë për investime. Ai tha se anëtarësimi është i rëndësishëm edhe për përballjen e krizës financiare botërore.

"Ndonëse Kosova është goditur me lehtë se sa vendet tjera ajo nuk mund ta shmang atë, prandaj edhe për këtë arsye anëtarësimi në Fondin Monetar është me rëndësi", tha Bakker, sipas të cilit në rast nevoje vendi mund të kërkojë mbështetjen e fondit.

n.e/NOA

KOMENTE