English

Vidhet varri i aktorit të humorit Toto', e bija: "Napoli e tradhëtoi"

Napoli, 1 qershor, NOA - Në Napoli, nga vjedhjet duket se nuk shpëtoka dot as i madhi Toto', të cilin e donin që të gjithë.

Disa keqbërës kanë dhunuar varrin e tij, duke i shkulur që aty "stemën e nderit", të cilin ai e kishte gdhendur me duart e tij.

Lidhur me një akt të tillë, vajza e princit të të qeshurës në Itali, Liliana De Curtis, është shprehur se në këtë mënyrë, "Napoli e ka tradhtuar Totonë".

Sipas medieve italiane, një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrollit në varrezat ku ndodhet jo vetëm varri i tij, por edhe i disa emrave të mëdhenj të botës së artit në Napoli.

"Jemi të hidhëruar në shpirt nga gjeste të tilla, - deklaron e pezmatuar vajza e aktorit të madh".

Ndërkaq, shumë banorë të Napolit janë solidarizuar me të, duke u shprehur se nuk është e drejtë që të përdhoset kaq keq imazhi i një figure të madhe, duke e fundosur kështu, më keq, edhe figurën e qytetit të Napolit.

n.e/NOA

KOMENTE