English

Autoritetet: Mbetje aeroplani në Atlantik, dyshojmë se i përkasin fluturimit

Tiranë, 2 qershor NOA Update - Aviacioni luftarak brazilian deklaroi sot se ka zbuluar pjesë të mbetura në Atlantik, të cilat mund të jenë të avionit të zhdukur të kompanisë franceze Air France.

Një zëdhënës i aviacionit luftarak në Brazilia, sqaroi se pjesë të vogla janë parë rreth 650 kilometra në verilindje të ishullit Fernando de Noronha.

Sidoqoftë, ai pranoi se nuk mund të konfirmojë se a i takojnë ato pjesë aeroplanit i cili u zhduk gjatë fluturimit nr 447, nga Rio De Zhanejro për në Paris. Airbusi A330 me 228 vetë në bord u zhduk dje mbi Oqeanin Atlantik gjatë fluturimit nga Rio de Janeiro për në Paris.

Franca dërgoi avionë të tjerë në rajon dhe kërkoi mbështetje përmes satelitëve amerikanë. Sinjali i vetëm për shkaqet e mundshme të rrëzimit të avionit, janë pohimet e një piloti të një avioni mallrash, i cili thotë se ka parë në det pjesë avioni të përfshira nga flakët.

Në bordin e avionit të humbur mendohet se ndodheshin edhe 26 gjermanë. Ministria e Jashtme në Berlin është në kontakt të ngushtë me autoritetet franceze.

Airbus-i 330-200, i fluturimit nr 447 u zhduk nga radarët të hënën në mëngjes, gati katër orë pas nisjes nga Rio de Janeiro. Aeroplani Airbus A330 kishte në bord 228 pasagjerë nga 32 shtete.

Zyrtarë të kompanisë Air France, raportuan për shenja të dështimeve potenciale elektrike dhe nuk përjashtuan mundësinë që aeroplani të ketë qenë goditur nga turbulenca të fuqishme dhe vetëtima, por megjithatë shkaqet e zhdukjes mbesin të paqarta.

e.l/NOA

KOMENTE