English

Grabitje në qendrën tregtare "ETC", arrestohet zv/menaxheri

Vushtrri, 2 Qershor NOA - Një aktivizim i alarmit në qendrën tregtare-market "ETC" në Vushtrri i ka detyruar njësitë patrulluese të Policisë së Kosovës që të reagojnë për verifikim të këtij alarmi, njofton Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë.

Njësitë patrulluese kanë reaguar rreth orës 03:30 të ditës së sotme, ku nuk është vërejtur asnjë dëmtim fizik i objektit nga ana e jashtme veç kamerave të sigurimit, të cilat ishin dëmtuar dhe vënë jashtë funksionit.

Gjatë kontrollit të lokalit, është konstatuar se nga kasaforta janë vjedhur rreth 38 mijë euro.

Hetuesit policorë dhe teknikët e kriminalistikës, të cilët e kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, thanë se nuk kanë vërejtur gjurmë të përdorimit të forcës fizike për hapjen e kasafortës.

Sipas deklaratave të menaxherëve të objektit, çelësi i kasafortës kishte qenë në zyrë, ndërsa të dyshuarit besohet se e kanë marrë atë çelës dhe kanë hapur kasafortën.

Besohet se të dyshuarit kanë hyrë përmes dritares së tualetit të objektit për të depërtuar më pas në Zyrën e Menaxherit ku edhe e kanë kryer aktin e vjedhjes së rëndë.

Një zyrtar i sigurimit, i cili ishte në kryerje të detyrës ka deklaruar se ishte marrë me forcë nga personat e panjohur dhe i njëjti ishte dërguar deri në fshatin Studime të Vushtrrisë, ku më pas ishte liruar nga të dyshuarit, të cilët kanë ikur në drejtim të panjohur.

Hetuesit policorë të Sektorit për Krime të Rënda në Mitrovicë i kanë ftuar për intervistë në cilësi të dëshmitarëve tre persona; menaxheren dhe ndihmësmenaxherin e lokalit së bashku me rojtarin, i cili ishte raportuar si i rrëmbyer nga të dyshuarit.

Në kohën kur hetuesit policorë po zhvillonin intervistën me menaxheren, zëvendësmenaxheri dhe rojtari janë lënë në dhomën e pritjes për intervistë.

Në rrethana dhe për motive ende të pasqaruara, rojtari ka hapur dritaren e dhomës dhe ka kërcyer nga kati i dytë i ndërtesës policore në tentim të ikjes nga ndërtesa policore.

Zyrtarët policorë kanë arritur që të kapin të dyshuarin, i cili kishte pësuar lëndim në dorë si rezultat i kërcimit nga dritarja.

Të njëjtit i është dhënë ndihma e parë në Shtëpinë e Shëndetit në Mitrovicë dhe më pas është dërguar në QKUK Prishtinë për trajtim të lëndimit.

Me urdhër të Prokurorit Publik, dy personat të cilët fillimisht janë ftuar në cilësi të ankuesve dhe viktimës janë ndalur në lokalet policore për mbajtje për zhvillim të hetimeve të mëtejme.

Ndalim policor në afat prej 48 orësh, është caktuar ndaj zëvendësmenaxherit dhe rojtarit të marketit "ETC". Policia tha se hetimet janë duke u ndjekur intensivisht nga hetuesit rajonalë për krime të rënda në Mitrovicë.

a.b/NOA

KOMENTE