English

PS, Blushi në Korçë: E majta ndihmon të varfrit, e djathta vjen për të vjedhur taksat

Korçë, 2 qershor NOA - Kandidati për deputet në qarkun e Korçës, Ben Blushi, i shoqëruar nga kandidatja Olta Xhaçka, ka vizituar lagjet 14, 15, 16 të këtij qyteti.

Gjatë takimeve me banorët, kandidatët socialistë kanë prezantuar programin e Partisë Socialiste.

Blushi është shprehur se programi i PS është programi më i mirë që u ofrohet shqiptarëve, përgatitur nga grupe ekspertësh dhe i mbështetur nga një ekip profesionistësh.

Kandidatja Xhaçka ka folur për politikën e re të ndryshimit, me fitimin në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, Partia Socialiste do t'i kushtojë një rëndësi të veçantë zgjidhjes së problemeve me të cilat hasen sot qytetarët, duke i vënë ata dhe shqetësimet e tyre në qendër të politikëbërjes.

"Duke vizituar lagjen 16 të qytetit të Korçës, arritëm të takojmë edhe këtë familje, familjen e Gëzim Kodrës, që prej vitesh me radhë jeton në këtë barakë në kushte të mjerueshme jetese. Duke u ndarë nga familjarët e tij, sepse nuk arrijnë të fusin kokën më shumë se dy veta në këtë barakë, duke fjetur, e duke jetuar një jetë në kushte të mjerueshme, jashtë çdo standardi jetik. Është e tmerrshme, është vërtet e trishtueshme që pas 18 vjetësh tranzicion, në vitin 2009 të vazhdojmë të ndeshemi me fenomene të tilla, të vazhdojmë të ndeshemi me një qeverisje të korruptuar si kjo e kryeministrit Berisha, ku pushtetarët mbushin xhepat dhe shqiptarët varfërohen nga dita në ditë" u shpreh kandidatja Olta Xhaçka.

" Më 28 qershor ka vetëm një rrugë: shkojmë për të votuar për kandidatët e Partisë Socialiste në të gjithë Korçën, shkojmë për të votuar për veten.

Në qoftë se ka një ndryshim të madh përveç faktit që qeveria e Berishës është e kriminalizuar, e majta dhe e djathta kanë një ndryshim në gen, në ADN, sepse e majta ndihmon të varfrit, ndihmon ata që nuk kanë punë, ndihmon ata që shkojnë në emigracion, sepse në Shqipëri nuk ka punë. E djathta dhe sidomos kjo e djathtë e deformuar që kemi ne sot në Shqipëri, ndihmon vetëm dhjetë apo njëzetë miqtë e Saliut, ka dhe nja dy këtu në Korçë bashkë me Ridvan Boden, që vijnë këtu për t'ju vjedhur taksat." tha Blushi.

k.k/NOA

KOMENTE