English

Berisha: Shqipëria është shndërruar në vend të besuar për biznesin

Durrës, 4 qershor, NOA Foto update - Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e portit të lëndëve djegëse në Porto-Romano, në Durrës.

Porti, një investim tërësish i biznesit shqiptar me vlerë 50 milionë euro, garanton standardet më të mirë në trajtimin e lëndëve djegëse.

Berisha e konsideroi ndërtimin ndërtimin e portit në Porto Romano një pikëfillimi për shndërrimin e kësaj zone në një nga nyjet energjetike më të rëndësishme dhe më të fuqishme të rajonit.

"Ndërtimi i portit dhe parkut energjetik në Porto Romano përbë një pikëmbështetje shumë të fuqishme dhe jetike për zhvillimin e shpejtë të vendit, përbën një fillim të madh për shndërrimin e këtij porti dhe zonës në një nga nyjet energjetike më të rëndësishme dhe më të fuqishme të të gjithë rajonit", - u shpreh shefi i qeverisë.

Sipas tij, ndërtimi i këtij porti është një tjetër dëshmi e mjedisit shumë të favorshëm për investimet në vend, duke theksuar se ky katër vjeçar mbyllet me një bilanc të paparashikuar për investimet e huaja dhe në katër vitet që vijnë ato do të jenë mbi 8 miliard euro.

"Një thinj-tank shumë i njohur londinez, tha Kryeministri - në vitin 2006 deklaronte se mesatarja e investimeve të huaja në Shqipëri për 10 vitet e fundit ka qenë 70 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar, investimet në Shqipëri kanë qenë mbi 800 milionë euro dhe në katër vitet që vijnë do të jenë mbi 8 miliard euro".

Më tej, Berisha citoi: "Dhjetë ditë më parë, presidenti i Raiffaisen Bank, Dr. Stepiç, do të deklaronte se edhe për mua si austriak ky vend ka bërë ndryshime të paimagjinueshme, të pabesueshme dhe e vërteta është se disa prej këtyre ndryshime janë të pabesueshme. Dy vjet më parë, në Bruksel, një ambasador i një vendi ndër vendet më mike që ne kemi në botë do t'i thoshte ambasadorit tonë se nëse do të votohej për Shqipërinë në NATO në vitin 2007, druaj se do të kishte mbetur pa asnjë votë, por ju punuat dhe dëshmuat seriozitetin dhe suksesin reformave, ndaj dhe u votuat më shpejt se kushdo tjetër".

Ndaj dhe unë, - vijoi Berisha, - jam shumë optimist se jemi para zhvillimeve që edhe vetë nuk i parashikojmë dhe këto zhvillime vijnë, para së gjithash dhe mbi të gjitha, nëpërmjet investimeve.

v.m/NOA

KOMENTE