Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Presidenti Topi takohet me homologun e Malit të Zi, Filip Vujanoviç
English

Presidenti Topi takohet me homologun e Malit të Zi, Filip Vujanoviç

Budva, 4 qershor NOA - Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Mal të Zi për të marrë pjesë në punimet e Forumit Rajonal për Korridorët Kulturorë në Evropën Juglindore "Administrimi i Shumëllojshmërisë Kulturore dhe Promovimi për qëllime turistike", Presidenti shqiptar Bamir Topi zhvilloi edhe një takim dypalësh me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç.

Në këtë takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe mes dy vendeve tona si dhe u shpreh vullneti politik për intensifikimin e tyre të mëtejshëm në të gjitha fushat me interes të ndërsjellta duke rritur dhe zgjeruar sidomos marrëdhëniet dhe shkëmbimet ekonomiko-tregtare dhe ato në kuadër të bashkëpunimit rajonal me synim integrimin e përbashkët në strukturat euro-atlantike dhe në gjirin e familjes së madhe evropiane.

Të dy presidentët ndanë mendimin e përbashkët se vizitat e takimet e nivelit të lartë të zhvilluara kohët e fundit, si dhe kontaktet e rregullta kanë pohuar këto qëndrime, si shprehje e vullnetit të për marrëdhënie të mira ndërmjet dy vendeve e për t'i shndërruar ato në shembull pozitiv në rajon. Presidenti Topi theksoi se Shqipëria është plotësisht e angazhuar për të arritur një nivel të lartë marrëdhëniesh mbi parime e standarde, jo vetëm të fqinjësisë së mirë, por edhe ato të integrimit evropian, duke shtuar se konstaton me kënaqësi se edhe Mali i Zi ndan të njëjtin vlerësim për marrëdhëniet me vendin tonë. "Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilët ndajnë një histori të përbashkët shumëshekullore, kanë sot të gjitha motivet dhe nxitjen për të bashkëpunuar për një të ardhme evropiane të popujve tanë dhe të rajonit në tërësi" - theksoi kreu i shtetit shqiptar në takim, duke shprehur angazhim maksimal për të arritur një nivel të lartë marrëdhëniesh në të gjitha fushat, me interes të ndërsjellë.

Presidenti Topi theksoi gjithashtu se një angazhim i tillë buron nga politika konstruktive që ndiqet në rajon, nga vullneti për të kontribuar dhe marrë pjesë aktivisht në integrimin rajonal dhe atë euroatlantik, si dhe nga vizioni për një rajon të stabilizuar, të zhvilluar ekonomikisht dhe në harmoni marrëdhëniesh në një hapësirë tashmë demokratike. Në këtë kuadër, Presidenti Topi vuri në dukje se Forumi i Cetinjës është një shembull i mirë dhe i dobishëm për të diskutuar çështje që preokupojnë rajonin dhe për nevojën e një koordinimi e bashkëpunimi më të gjerë.

Kreu i shtetit shqiptar vuri në dukje domodoshmërinë e përfshirjes së shtetit të ri, demokratik e shumëetnik të Kosovës në forume dhe nisma rajonale, gjë do të pasqyronte realitetin e ri gjeopolitik të rajonit tonë dhe do t'i kontribuonte thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dhe rritjes së qëndrueshmërisë afatgjatë. Në këtë drejtim, Topi shprehu bindjen se intensifikimi e zgjerimi i mëtejshëm i këtyre nismave veçse i hap rrugë zhvillimit të shpejtë, investimeve të ndërsjella, projekteve të përbashkëta të infrastrukturës, turizmit, shkëmbimeve kulturore, artistike, sportive, tregtisë kufitare, etj. Nga ana e tij, Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, duke vlerësuar këtë takim të radhës si të rëndësishëm e të frytshëm për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve tona në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, theksoi se dhe vendi i tij është mjaft i interesuar për thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit rajonal në përmbushje të aspiratave integruese të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euro-atlantike dhe në Bashkimin Evropian.

e.l/NOAÂ

KOMENTE