Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Lëvizja Mjaft del me një thirrje ndaj partive politike për zgjedhjet parlamentare
English

Lëvizja Mjaft del me një thirrje ndaj partive politike për zgjedhjet parlamentare

Tiranë, 5 qershor NOA - Lëvizja Mjaft u bëri sot një thirrje partive politike në vend, që 25 ditë përpara datës së zgjedhjeve, të ndalin butaforinë, retorikën e spektaklit dhe demagogjinë dhe të prezantojnë konkretisht përpara shqiptarëve alternativat e tyre qeverisëse.

"Ende sot, kur vetëm pak ditë na ndajnë nga moment i verdiktit popullor për qeverisjen e katër viteve të ardhshëm, askush nga qytetarët e thjeshtë të këtij vendi nuk është lejuar të lexojë dhe të bëjë arsyetimin e vet mbi platformat e partive", - thuhet në deklaratën e Mjaft.

"Partitë politike vazhdojnë t'i mbajnë sekrete platformat e tyre (nëse ato vërtet ekzistojnë) duke e kufizuar vëmendjen publike jo mbi mënyrat sesi do të zgjidhen problemet tashmë të dukshme të shoqërisë shqiptare, por thjesht në vënien e panevojshme në dukje të po këtyre problemeve", - vijon deklarata.

Mjaft evidenton se si mazhoranca ashtu edhe opozita po i shpenzojnë energjitë e tyre në ndërtimin e fushatave të zhurmshme, shumëngjyrëshe plot me efekte speciale, dhe ndërkohë po lënë në heshtje të plotë debatin dhe analizën e vërtetë që kanë nevojë të dëgjojnë qytetarët rreth mënyrës sesi ato do t'i zgjidhin problemet e mprehta të papunësisë, shëndetësisë, arsimit dhe shërbimeve të tjera publike.

Ajo sugjeron se një debat i sinqertë dhe i shëndoshë, pa iu trembur kritikës dhe zërave kundra të aktorëve të shoqërisë sonë, duhet të ishte fushata e vërtetë elektorale, përkundër shpenzimeve marramendëse për postera dhe koncerte apo kacafytjeve e sherrnajave të dalaboje të militantëve nëpër zyra elektorale dhe tenda agjitacioni midis lagjeve.

"Mënyra sesi po sillen partitë politike me zgjedhësit e tyre, duke mos denjuar as t'i informojnë ata për kursin që do të ndjekin nga dita e parë pas zgjedhjeve, është një injorim ndaj aftësisë, dëshirës dhe gatishmërisë së Shqipërisë për të bërë zgjedhjen më të dobishme për të, në ditën e votimeve", thekson Lëvizja Mjaft.

Ajo konsideron se Shqipëria e vitit 2009 nuk është më ajo e fushatave të kaluara elektorale kur zgjedhjet fitoheshin me premtimet qesharake të çekut të bardhë, kthimit të parave të piramidave apo të zhdukjes së korrupsionit.

"Shqipëria e vitit 2009 nuk mund të tërhiqet më aq kollaj për hunde me premtimet e thata dhe të pajustifikuara të "udhëtimit pa viza", të "punësimit të 190 mijë të papunëve" apo të "votës së emigrantëve". Shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë sot llogari për mënyrën konkrete si do të realizohen këto premtime, për precedentët, për modelet që po ndiqen, për kostot, si dhe fizibilitetin e tyre", - vijon deklarata.

Në përfundim, Lëvizja Mjaft, u bën thirrje partive politike, që "sa më parë, të ndërpresin vallen marramendëse të këtij show të kushtueshëm i cili s'i shërben askujt dhe rrëmben energjitë e pakta të vendit tonë të varfër, të publikojnë programet e tyre qeverisëse dhe t'i shpenzojnë ditët që mbeten deri më datë 28 të këtij muaji në një proces të ndershëm, të hapur dhe bindës për sqarimin dhe zbërthimin e detajuar të mënyrës sesi ato synojnë të administrojnë vullnetin e qytetarëve të këtij vendi".

e.l/NOA

KOMENTE