English

Berisha në Fushë Krujë: Socialistë dhe demokratë, asnjë votë Edi Ramës

Fushë Krujë, 7 Qershor NOA - Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot paradite një takim me banorë të Fushë Krujës ku kërkoi publikisht që të gjithë shqiptarët të mos japin vota për kreun e PS, Edi Rama.

Berisha i kujtoi banorëve të Fushë Krujës se "këtu erdhi për t'u takuar me ju Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës".

Kurse shtoi se "një njeri, i zhveshur nga çdo ndjenjë dhe moral njerëzor dhe kombëtar, tentoi t'ju përdhosë juve mikpritjen, moralin tuaj, detyroi Presidentin e SHBA-ve, rast unik në histori, të nxjerrë orën, të cilën i paudhi shpifi, trilloi se ju ia kishit vjedhur".

Në këtë pikë, Berisha lëshoi thirrjen më të re: "Vëllezër e motra, fushëkrujas, krutane e krutanë, asnjë votë atij që shkelmoi mbi mikpritjen tuaj. Ju ftoj të gjithëve, demokratë, socialistë, republikanë, të çfarëdo bindjeje politike, mos pranoni t'i jepni votën atij, ndëshkojeni me votën tuaj të lirë, sepse guxoi t'ju gjuaj juve fshehtas, guxoi që nga errësira, nga fakultetet më të errëta njerëzore të njeriut, të shpifë në mënyrë monstruoze për mikpritjen e jashtëzakonshme, që ju i rezervuat Presidentit George W. Bush".

Në vijim të fjalës së tij në miting, Berisha apeloi edhe një herë për pajisjen e shqiptarëve me karta: "Kam një thirrje vëllazërore, pavarësisht nga bindjet tuaja politike, ngrihuni në lartësinë e përgjegjësisë suaj qytetare, merrni letërnjoftimet elektronike, që janë dëshmia më moderne e identitetit tuaj në Evropë".

Po ashtu Berisha, në miting premtoi se "do të ndërtojmë akset e shkurtra kombëtare që shqiptarët të lëvizin në rrjetin rrugor më të ri, më modern e më kohëshkurtër në rajon dhe Evropë".

v.m/NOA

KOMENTE