English

G99, Veliaj në Tropojë: Të punojmë për bashkim, jo për ndarje

Tropojë, 8 qershor NOA - Lëvizja tashmë politike, G99 çeli degën e saj në qytetin e Tropojës duke deklaruar se ka përmbushur kështu premtimin për të zhvilluar fushatë në çdo cep të Shqipërisë, nga Veriu në Jug, e nga Lindja në Perëndim.

I shoqëruar nga aktivistë të G99, Veliaj udhëtoi me traget drejt Tropojës përmes linjës së Komanit.

Në Tropojë, që G99 vlerëson se është një qytet totalisht i harruar nga qeveria ndonëse është dhe vendlindja e kryeministrit Sali Berisha", drejtuesi i Lëvizjes u prit nga disa aktivistë të rinj të këtij qyteti.

Fillimisht Erion Veliaj zhvilloi me ta një takim ku bëri thirrje që "të punojmë gjatë kësaj fushate për bashkim, e jo për ndarje të shqiptarëve e Shqipërisë në bastione që në fakt nuk ekzistojnë".

Veliaj tha se tashmë ekzistojnë vetëm bastione të të rinjve dhe se të rinjtë do t'ia dalin të ndryshojnë këtë vend në 28 qershor. Këtë gjë ai tha se e ka konstatuar në çdo cep të Shqipërisë ku G99 po zhvillon fushatën e saj - që nga Lazarati e deri në Tropojë.

Arbi Mazniku, i cili ishte gjithashtu i pranishëm në këtë vizitë në Tropojë, u shpreh se është e pafalshme që sot të gjitha vendlindjet e kryeministrave jetojnë në skamje të plotë dhe në harresë. ***

Në Tropojë dukej qartë se me sa vështirësi e mbyllnin muajin banorët e varfër të këtij qyteti të thellë malor.

Që në traget, G99 konstatoi se turistë të ndryshëm kishin vendosur të kalonin fundjavën në pika të ndryshme turistike malore pranë lumit Valbona, por deri më sot, ndonëse Tropoja e ka këtë potencial të jashtëzakonshëm turistik, qeveria nuk ka patur asnjëherë një vizion për ta shndërruar këtë potencial në një mundësi për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. ***

Pas takimit me të rinjtë Veliaj eci përgjatë shëtitores së Tropojës, i shoqëruar nga aktivistët e G99 dhe përgjatë kësaj shëtitoreje pati mundësi të bisedonte me banorë të shumtë e të dëgjonte prej tyre vështirësitë e shumta me të cilat ata ndeshen për të përballuar varfërinë.

"Ne jemi të lodhur nga politika, tani mua personalisht nuk më intereson fare të dëgjoj retorikën e kësaj politike, mua më intereson vetëm të kem mundësi të punoj e të ushqej fëmijët e mi", i tha Veliajt një banor i Tropojës, i cili duke mos patur asnjë mundësi për të jetuar ishte i detyruar të shiste në një tezgë buzë shëtitores pak produkte bujqësore.

Veliaj iu përgjigj se pas 28 qershorit qeveria e re do të punojë për të shtuar vendet e punës duke e konsideruar këtë reformë të lidhur ngushtë me arsimin dhe me stimulimin e zhvillimit të turizmit dhe hapjen e bizneseve të reja, në qytet, por sidomos në zonat rurale ku potenciali për zhvillim është i madh, po ama prej 20 vjetësh ka munguar vullneti dhe vizioni për ta shfrytëzuar këtë potencial.

"Ne na hanë duart për punë dhe jemi gati të përveshim mëngët në mënyrë që ta nxjerrim bashkërisht vendin tonë nga tranzicioni dhe t'u kthejmë qytetarëve tanë, nga Tropoja e deri në cepin më jugor të vendit, dinjitetin që u takon", tha Veliaj.

e.l/NOA

Â

KOMENTE