English

Berisha me biznesmenët: Pasioni i burokratit për licencat, është patologjik

Tiranë, 9 qershor NOA - Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot paradite një takim me biznesmenë dhe përfaqësues të grupeve, shoqatave të biznesit, gjatë të cilit paraqiti objektivat fiskalë dhe ekonomike në katër vitet e ardhshme.

Fillimisht Berisha u ndal gjatë në ato që ai i cilësoi arritje të qeverisë së tij në mandatin katërvjeçar që po mbyll.

Më tej ka folur për punën që dëshiron të bëjë qeveria e tij në një mandat të dytë nëse do të fitojë zgjedhjet e 28 qershorit.

Gjatë fjalës së tij, Berisha atakoi direkt kryetarin e Bashkisë së Tiranës, kur evidentoi heqjen e licencave dhe lejeve ku pranoi se ka qenë një proces shumë i mundimshëm.

"Pasioni i burokratit për licencat është patologjik. Ju nuk mund të imagjinoni sa betejë është bërë, sa mbledhje dhe sa përcaktime për t'i nxjerrë ato nga duart e burokratëve", - pohoi kryeministri.

"Në mënyrë që ju të mos rendni javë e muaj të tëra pas kësaj apo asaj lejeje, - vijoi ai, - ju siguroj se parimi ‘heshtja është miratim' do të tejshkojë të gjithë veprimtarinë e kësaj administrate.

Berisha tha se kjo nisi me lejet e ndërtimit dhe këtë jo si një akt kundërshtie apo karshillëku ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës.

"Jo, por sepse praktikat e tij janë unike në botë. Ka vetëm tre vende në botë që mbajnë lejen e ndërtimit 333 ditë. Nuk ka vend në botë që kryetari i bashkisë t'i japë 70 për qind të lejeve dy kompanive, ndërkohë që janë 400 që punojnë", - tha kryeministri.

Këtu ai përforcoi se "as i biri i Kim Il Jungut, kryetar bashkie i Phenian-it nuk e bën këtë".

Duke theksuar se qeveria sipas tij u detyrua të ndërhyjë me ligj, pohoi se e ka zbritur në 45 ditë lejen e ndërtimit.

Kurse më tej u ndal në planet urbanistike: "E konsiderojnë territorin plaçkë të tyre dhe kjo është e turpshme. Si mund të themi ne se po aplikojmë për në Bashkimin Europian, jemi anëtar i NATO-s dhe nuk bëjmë planin e rregullimit të territorit dhe këtë sepse duan ta ndajnë në llokma", - tha Berisha.

Ai siguroi këtu se "kjo do të marrë fund", duke premtuar për "ligje dhe zbatim të tyre me rigorozitet".

Taksat e tatimet

Berisha lajmëroi se "do të ketë lëvizje preferenciale të sistemit fiskal": "Katër vitet që shkuan, ne nuk bëmë lëvizje preferenciale, selektive dhe bëmë mirë, sepse i ulëm ato për të gjithë. Tani disa sektorë e kanë më të domosdoshëm. Parqet industriale detyrimisht do të jenë zona të sistemit të veçantë. Investimet në shëndetësi, investimet në arsim do të jenë të çliruara nga një seri taksash. Sikundër do bëjmë çdo përpjekje për partneritetin publik privat, që gjer tani në fushën e investimeve kryeson me epërsi të jashtëzakonshme në fushën e energjisë, në fushën e turizmit deri diku, akoma nuk ka marrë shpejtësinë e plotë në fusha të tjera. Qeveria do të studiojë, duhet të hapet ndaj jush për këtë partneritet në të gjitha fushat e veprimtarisë ekonomik".

Në këtë pikë, Berisha ka bërë edhe një krahasim me vitet kur ishte president: "Ne kemi vendosur taksën e sheshtë. Në bindjen time më të thellë jam për taksat e ulëta. Në vitet '95-'96, ai sistem i dha Shqipërisë rritje dyshifrore ekonomike", - pretendoi Berisha.

Këtu ai krahasoi me faktin sipas tij se sërish vitin e kaluar, 9 muajt e parë të tij ishin dyshifrore, kurse premtoi se "ne prapë do të shohim në çdo aspekt ku mund të ulen ato".

Kryeministri u ndal në argumentin e taksës së sheshtë dhe tha se ka një studim jashtëzakonisht të rëndësishëm të Oksfordit, publikuar vjet, i bërë në 800 mijë sipërmarrje, të monitoruara për 10 vjet rresht.

"Kur krahason taksën marksiste progresive, e cila synon të godasë kapitalistët dhe taksën e sheshtë, e cila synon të zgjerojë lirinë ekonomike, në kundërshtim flagrant me dogmën socialdemokrate, Oksfordi fakton se përfituesit kryesor nga taksa e sheshtë janë direkt punëtorët, se për çdo dollarë të ulur të kësaj takse, 0.54 dollarë i kalojnë punëtorit ose pagë, ose shërbim, investim, zgjerim biznesit etj. etj. etj.", - vuri në dukje Berisha.

Sipas tij, kjo krizë ka krijuara një farë konfuzioni në botë, disa i rrisin taksat, disa i ulin, ndërsa premtoi se "ne do të vazhdojmë me uljen e tyre".

e.l/NOA

KOMENTE