English

BSH: Kriza, eksportet bien me 15%, goditen "tekstilet" e "këpucët"

Tiranë, 11 qershor, NOA - Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me vendet e tjera kanë shënuar një ulje të madhe gjatë këtij viti.

Ky fakt pohohet në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilit "vëllimi i përgjithshëm i shkëmbimeve tregtare gjatë tremujorit të parë të vitit 2009 shënoi 869 milionë euro, me një rënie vjetore prej 8%"

Raporti konkretisht tregon se eksportet shënuan një rënie vjetore prej 15% dhe vlerësohen në 176 milionë euro, ndërkohë që për importet u paguan 692 milionë euro ose 6% më pak se një vit më parë.

Ndërsa defiçiti tregtar u tkurr me rreth 11 milionë euro duke arritur në 516 milionë euro. "Pagesat për importet e mallrave ushqimore kanë rënë me 15% ndërsa ato për lëndë djegëse me 30%. Ndërkohë, janë rritur vlerat e importeve të makinerive dhe pajisjeve (4%) dhe të produkteve kimike (19%). Vlera e importeve të këtyre katër kategorive shënoi rreth 63% të vlerës së përgjithshme të importeve", argumentohet më tej nga ekspertët bankarë.

Ndërsa japin për krahun e eksporteve, shifra të ulëta të eksporteve nga industria e tekstileve dhe e këpucëve, për të cilat shprehen se ranë me 8%.

Në një kohë, kur eksportet e këtyre kategorive vazhdojnë të renditen të parat duke siguruar rreth 54% të të ardhurave të përgjithshme nga eksportet.

"Gjatë tremujorit të parë të vitit është regjistruar rënie e ndjeshme në vlerën e eksporteve të metaleve (me 54%), gjë që ka bërë që eksporti i përgjithshëm nga prodhimi i brendshëm të bjerë me rreth 23%", thuhet ndër të tjera në këtë raport.

n.e/NOA

KOMENTE