English

Laç, dy fëmijë plagosen me lëndë plasëse që e blenë në dyqan

Laç, 17 qershor NOA - Dy fëmijë kanë mbetur të plagosur pas shpërthimit të një kapsolle plasëse në qytetin e Laçit, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.

Ngjarja ka ndodhur sot ora 11.40 në lagjen nr 4 të qytetit të Laçit, në rrugën pranë banesave të dy fëmijëve, prapa kishës katolike të zonës.

Altin Mëhilli, 14 vjeçar dhe shoku i tij i lagjes, Erald Bata, 10 vjeç, që të dy banorë të lagjes nr 4, gjendeshin në rrugë duke luajtur, kur kanë shkuar në një dyqan dhe kanë blerë disa kapsolla, që në fakt edhe pse përmbajnë lëndë plasëse, shiten lirisht nëpër njësitë tregtare, sidomos në raste festash.

Pasi i kanë blerë kapsollat, kanë nisur të luajnë me to. Por loja ka sjellë një dramë në familjet e dy fëmijëve të cilët mbetën të plagosur.

Pa vonesë, dy fëmijët janë dërguar në spitalin e qytetit të Laçit, ku mjekët thanë se Altini ka humbur tre gishta të njërës dorë si dhe ka plagë serioze në bark.

Ndërkohë, me plagë më të pakta, është jashtë rrezikut në spital, shoku i tij Eraldi.

Policia ka shkuar në vendngjarje dhe tha se po sqaron me detaje rrethanat në të cilat ndodhi incidenti.

e.l/a.k/NOA

KOMENTE