Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Albin Kurti: Ndaj Maqedonisë të zbatohet strategjia e trefishtë
English

Albin Kurti: Ndaj Maqedonisë të zbatohet strategjia e trefishtë

Lideri i lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti flet për zhvillimet e fundit në Kosovë, Maqedoni dhe rajon.

Â

Cilat janë shkaqet që Republika e Maqedonisë ngurron të vendos marrëdhënie diplomatike me Kosovën?

- Mendoj që është e domosdoshme që Kosova të fillojë ta aplikojë parimin e reciprocitetit. Është naivitet ose mazokizëm nëse Kosova vazhdon të sillet mirë me ata që sillen keq me të. Maqedonia nuk na ka njohur pse na do, por për shkak të trysnisë së SHBA-ve. Ndaj Maqedonisë, gjersa ajo lëshon fjalë se mund ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës, duhet të zbatohet strategji e trefishtë: a) Kosova dhe Shqipëria, të paralajmërojnë se do të veprojnë njësoj në rast se Maqedonia e tërheq njohjen - pra, edhe këto nuk do ta njohin Maqedoninë. b) Tirana, por edhe Prishtina, t'i forcojnë lidhjet me shqiptarët që jetojnë në Maqedoni drejt një platforme për qëndrime të përbashkëta kombëtare në raport me shtetin e Maqedonisë. Të vihet në pah për çdo ditë diskriminimi dhe nënpërfaqësimi i shqiptarëve atje. c) Të rishikohen marrëveshjet për tregtinë e lirë me Maqedoninë nga e cila, sidomos Kosova edhe ashtu s'ka aq leverdi: praktikisht, ne importojmë, kurse ata eksportojnë. Mbi të gjitha, problemi me Maqedoninë nuk duhet të trajtohet pa historinë e këtij problemi. Përveç shtypjes dhe diskriminimit të vazhdueshëm që ua është bërë shqiptarëve atje, është interesante se pikërisht Mbledhja e Dytë e AVNOJ-it, e mbajtur më 29 e 30 nëntor 1943 në Jajce të Bosnje dhe Hercegovinës, pra momenti i themelimit të Jugosllavisë së Titos, i ndan shqiptarët dhe Maqedoninë në pozita diametralisht të kundërta. Në atë mbledhje Maqedonia u formua nga asgjëja, kurse shqiptarët jo vetëm që nuk u lejuan të bashkoheshin me Shqipërinë (dhe andaj ata as që ishin ftuar në atë mbledhje), por ata as që u lanë në një republikë në veçantë në kuadër të Jugosllavisë anipse kishin vazhdimësi territoriale edhe ndërmjet vete (përveçse me Shqipërinë). Shqiptarët i ndanë në tri republika: më shumë shqiptarë iu lanë Serbisë meqë ajo ishte më e fuqishme, mesatarisht shqiptarë iu lanë Maqedonisë meqë ajo ishte mesatarisht e fuqishme, dhe më së paku shqiptarë mbetën te Mali i Zi meqë ai ishte një republikë më e dobët.

A mendon se në negociatat për çështjen e emrit kushtetues me Greqinë, duhet të kyçet edhe faktori shqiptar në Maqedoni. Si vlerëson referendumin e paralajmëruar nga Qeveria e Maqedonisë për çështjen e emrit?

- Gjithsesi që shqiptarët nuk duhet vetëm të jenë spektatorë në këtë betejën për emrin e Maqedonisë. Shqiptarët atje vazhdojnë të jenë të diskriminuar dhe të nënpërfaqësuar në tokën e tyre dhe ata kanë edhe më shumë arsye ta kontestojnë Maqedoninë sesa Serbia (që nuk ia pranon kishën), Greqia (që nuk ia pranon emrin) dhe Bullgaria (që nuk ia pranon gjuhën dhe kombin). Nëpërmjet këtij referendumi, Qeveria e Maqedonisë përpiqet që ta vulos qëndrimin e saj për emrin, duke e hedhur topin te populli dhe duke e përforcuar pozitën e saj karshi trysnive ndërkombëtare.

Si e sheh zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Maqedoni?

- Në organizim qytetar dhe kombëtar për protesta e demonstrata paqësore kundër padrejtësive dhe pabarazive që iu bëhen shqiptarëve atje. Po ashtu, partitë politike shqiptare duhet t'i dallojnë çështjet kombëtare prej atyre partiake. Nuk ka kurrfarë kuptimi të vazhdohet me mënyrën në të cilën shqiptarët e zgjedhin njërën parti e mandej partitë e zgjedhura presin që të zgjedhen prej partisë kryesore maqedonase.

A do të merrni pjesë në protestën kombëtare që do të mbahet më 23 qershor në Shkup?

- Deri me datën 25 qershor do të jem në Danimarkë e Suedi, kështu që fatkeqësisht nuk do të mund të jem në atë demonstratë. Me rëndësi parësore është që organizimet e studentëve të mos përfundojnë të lidhura me ndonjërën prej partive politike.

Cili do të jetë fati i veriut të Kosovës?

- Në veriun e Kosovës gjendja është më e rëndë sesa në kohën e Milosheviçit. Përveç represionit të vazhduar mbi shqiptarët nga strukturat e Serbisë, veriu është shndërruar në një zonë kriminale edhe në aspektin ekonomik: mallrat e Serbisë vijnë në veri - qindra maune hyjnë çdo ditë në pikat kufitare 1 dhe 31 në Leposaviç e Zubinpotok pa u doganuar - dhe mandej me furgona prej andej e vërshojnë Kosovën. E gjithë kjo bëhet me ndihmën edhe të tregtarëve shqiptarë që janë të lidhur me partitë politike të Kosovës. Prandaj, politikanët e Kosovës nuk bëzajnë për këtë invazion të mallrave të Serbisë. Nëse vazhdohet kësisoj, veriu i Kosovës do të jetë gjithnjë e më larg Kosovës. Ne patëm dhënë një propozim por që u shpërfill nga qeveria: secilës nga 500 familjeve shqiptare në veri t'iu punësohet nga një anëtar në policinë e Kosovës, një bazë e njësisë speciale të policisë së Kosovës të jetë në veri, të revitalizohet Trepça me paratë e privatizimit të deritanishëm, të mos lejohet që Serbia t'ua blejë pronat shqiptarëve atje dhe shqiptarëve të varfër që janë të detyruar t'i shesin pronat ato t'ua blejë qeveria e Kosovës, shqiptarët në veri të kenë përparësi në arsim, shëndetësi e punësim etj.

Si e vlerëson rolin e partive opozitare në Kosovë. A janë duke luajtur rolin e opozitës në kuptimin e vërtet të fjalës?

- Opozita parlamentare në Kosovë nuk ka dalline me pozitën në çështjet kapitale: edhe ajo e pranoi shuarjen e TMK-së, decentralizimin, ICO-në e EULEX-in, eksterritorialitetin e kishave e manastireve ortodokse me dhjetëra mijëra hektarë përreth, privatizimin super-neoliberal, braktisjen e bashkimit kombëtar, flamurin e himnin e disenjuar nga të huajt etj. Prandaj, debati opozitë-pozitë në Kosovë shpeshherë shndërrohet veçse në polemikë se kush ka gënjyer e vjedhur më shumë.

Si e cilësoni mosftesën dhe anulimin e vizitës së presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu në Maqedoni?

- Maqedonia e njohu Kosovën si shtet të pavarur (për shkak të trysnisë së SHBA-ve) porse liderët politikë maqedonas përpiqen që të mos e pranojnë të tillë (në secilin rast që atyre u jipet mundësia). Maqedonia gjithsesi e preferon Serbinë jo vetëm atëherë kur është në pyetje Kosova. Krerët institucionalë të Maqedonisë dhe elita politike atje e përjetojnë Serbinë si mishërim aktual të jugo-nostalgjisë tradicionale të tyre. Kjo gjë e shpjegon trajtimin që ata ia bënë Fatmir Sejdiut: së pari, nuk e ftuan para dy javëve kur u bë inaugurimi i presidentit të ri maqedonas Ivanov, pastaj e ftuan që ky të mos shkonte, dhe mandej, e ftuan në një takim me karakter më të ulët sesa ai shtetëror.

NOA-INA

KOMENTE