English

KSHH reagon: Policia e Shtetit të mos nxitohet për të paragjykuar të shkuarën e Kekës

Tiranë, 18 qershor NOA - Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar sot pas deklaratës së Policisë së Shtetit e cila ka evidentuar faktin se kreu i PDK për Malësinë e Madhe Aleks Keka i cili humbi jetën pasi makina e tij shpërtheu, njihet si person me precedente të rënda kriminale.

KSHH, theksoi sot se deklarata e Policisë së Shtetit nuk është e lejueshme për faktin se sapo ka filluar të hetohet çështja.

"Nga deklaratat e zëdhënësit të Policisë së Shtetit bëhet fjalë se, sipas evidencave të policisë së shtetit, Aleks Keka njihet si person me precedentë penale në trafikun e lëndëve narkotike, të mjeteve motorike dhe të shpërthimeve me eksploziv me telekomandë.

KSHH mendon se, në kushtet kur çështja sapo ka filluar të hetohet, deklarata të tilla nuk janë të lejueshme, sepse ato përmbajnë elementë të paragjykimit. Vlen të përmendet se, sipas deklaratave të drejtuesve të Partisë Demokristiane para ngjarjes, Aleks Kekës i janë bërë kërcënime" thuhej në deklaratën e KSHH lëshuar pasditen e sotme.

"Nuk ka dyshim se kjo e dhënë do të jetë gjithashtu, objekt i hetimit.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit nuk paragjykon rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje, por qoftë dhe për faktin se ajo ndodhi 10 ditë para ditës së zgjedhjeve dhe se viktima ishte kryetar i PDK-së i Malësisë së Madhe, një hetim i shpejtë, i plotë, objektiv dhe i gjithanshëm do të ishte i domosdoshëm.

KSHH i sugjeron organeve të policisë së shtetit që veçanërisht në këto pak ditë që na ndajnë nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009, të rrisin forcën e tyre zbuluese dhe parandaluese, të sigurojnë rendin dhe jetën e njerëzve.

Për KSHH-në, paragjykimet dhe konkluzionet e nxituara dhe të parakohshme mund të shoqërohen me pasoja të dëmshme" përfundon deklarata e KSHH.

k.k/NOA

KOMENTE