English

KQZ: Papërgjegjshmëria e drejtuesve të pushtetit vendor po ve në rrezik standardet e zgjedhjeve

Tiranë, 19 qershor NOA - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka lëshuar një deklaratë sot me anë të së cilës shpreh shqetësimin e tij për shkeljen flagrante, permanente të Kodit Zgjedhor nga mjaft drejtues të pushtetit vendor, por edhe për papërgjegjshmërinë e tyre të paprecedent.

"Kjo papërgjegjshmëri e tyre, në vijimësi, po ve në rrezik serioz standardet e procesit zgjedhor. Fakti që pjesa dërrmuese e tyre nuk solli në kohën e duhur, të parashikuar nga Kodi Zgjedhor, jo vetëm numrin e zgjedhësve për çdo qendër votimi, numërtimin dhe numrin e saktë të Qendrave të Votimit, por edhe të dhënat përfundimtare, e vuri KQZ-në në një pozicion tepër të vështirë. Këto mangësi rrezikuan seriozisht si përgatitjen e gjithë logjistikës zgjedhore në përgjithësi, ashtu edhe prodhimin e vetë fletës së votimit në veçanti" thuhej në deklaratë.

Më tej në deklaratë thuhej se në këto rrethana, në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor, Komisioni kërkoi bashkëpunimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Pavarësisht apelit të vazhdueshëm që KQZ-ja u ka bërë drejtuesve vendorë, edhe pse ndaj tyre janë marrë masa administrative, situata në vend që të përmirësohet është bërë akoma më e pakuptimtë.

"Pas përcaktimit të QV-ve, nga ana jonë dhe detyrimit të tyre për të ndjekur këto vendime, mjaft drejtues vendorë kanë bashkuar apo ndarë Qendra Votimi, duke rrezikuar krijimin e një kolapsi të vërtetë në ditën e votimit. Këto ndërhyrje aventureske provokojnë vështirësi të jashtëzakonshme në përgatitjen dhe shpërndarjen e bazës logjistike zgjedhore. Po në këtë kolaps, do të ndodhen dhe ata zgjedhës, të cilët nuk do mundin të gjejnë qendrën e tyre të votimit.

Nisur nga këto rrethana, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u kërkon drejtuesve vendorë të heqin dorë nga çdo iniciativë individuale dhe të ndjekin me rigorozitet vendimet e KQZ, lidhur me këtë çështje. Çdo ndërmarrje përtej dispozitave ligjore rrezikon të krijojë jo vetëm vështirësi në ditën e zgjedhjeve, por do të përbënte dhe një precedent për cënimin e standardeve zgjedhore" bëri të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

k.k/NOA Â Â Â

KOMENTE