English

Maqedoni, shqiptarët pritet ta bojkotojnë referendumin për çështjen e emrit

Shkup, 18 qershor, NOA - Në rast të organizimit të referendumit për emrin nga ana e pushtetit aktual, atëherë qarqe opozitare shqiptare po shqyrtojnë mundësinë për të grumbulluar nënshkrimet për organizimin e një referendumi për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.

Në qarqet partiake dhe politike shqiptare janë shtuar zërat për organizimin e mundshëm të një referendumi i cili do të ishte për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE, dhe kjo nismë do të jetë si një kundërpërgjigje për referendumin tashmë të përgaditur nga pushteti aktual për çështjen e emrit, mëson agjencia e lajmeve INA.

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) por edhe partitë e tjera të opozitës nuk kanë dashur të deklarohen drejtpërdrejt për këtë çështje, duke vlerësuar se janë duke ndjekur skenaret e partisë në pushtet VMRO-DPMNE dhe aleatëve të saj për nxitjen dhe mbajtjen e referendumit.

VMRO-DPMNE ka nxjerrë në sipërfaqe organizimin e referendumit dhe se mbështetjen për këtë jozyrtarisht deri tani e ka siguruar edhe nga dy partitë BDI dhe Demokracia e Re.

Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Maqedoni në disa raste janë deklaruar kundër mbajtjes së referendumit për emrin, i cili mund ti jepte kahje të vështirë procesit të negociatave me palën greke. Nga taborri i VMRO-DPMNE konfirmojnë për "INA" se do të shkohet në referendum, me qëllim që populli të shprehë të drejtën për ndryshimin ose jo të emrit të shtetit. Pranë kësaj partie, ka nisur edhe shqyrtimi i formulimit të pyetjes më të përshtatshme se a duhet të ndryshohet ose jo emri.

PDSH: Shqiptarët të bojkotojnë

Nënkryetari i PDSH-së, Iljaz Halimi deklaroi se me referendumin, Qeveria aktuale dëshiron të largojë përgjegjësinë e saj që e ka për zgjidhjen e çështjeve.

"Organizimi për referendum nga ane e qeverisë s'është gjë tjetër veç se largim nga përgjegjësia që ajo duhet ta ketë për zgjidhjen e çështjeve. Nuk është korrekte që përmes referendumit të manipulohet me qytetarët e Republikës së Maqedonisë", theksoi Halimi.

Sipas tij, pushteti aktual me të gjitha mekanizmat do të falsifikojë rezultatin e referendumit, sepse siç nënvizoi ai, qytetarët do të vendosin ndryshe për emrin.

Ai ka theksuar se shqiptarët duhet të bojkotojnë këtë referendum, për tu mos u bërë vegël e pushtetit për legjitimimin e maqedonasve si pronarë të këtij shteti. "Shqiptarët asnjëherë nuk duhet të mbështesin projektet margjinalizuese", ka theksuar Halimi.

PDSH ka paralajmëruar se së shpejti do të dalë me qëndrim më të qartë për hapat e mëtejshëm, në rast se pushteti aktual vendos për mbajtjen e referendumit për emrin.

Analistët: Referendumi shpatë me dy teha

Analistët politik vlerësojnë se organizimi i referendumit është një skenarë i pushtetit aktual me qëllim të forcimit të pozicioneve për mosndryshimin e kohës dhe prolongimin e proceseve.

"Tash vetë ideja për referendum paraqet një shpatë me dy teha ku vetë kryeministri ka ndërmarrë këtë hap për blerjen e kohës, paraprakisht për shtyerjen e zgjedhjes së kontestit të emrit", ka theksuar analisti politik Jeton Shasivari. Ai e ka vlerësuar si tendencë të gabuar veprimin e kryeministrit Gruevski për të involvuar shqiptarët në procesin e referendumit për emrin.

"Nëse ky referendum pranohet edhe si një shprehje e vullnetit të shqiptarët atëher qasja është e gabuar", ka theksuar Shasivari. Kundër mbajtjes së referendumit janë deklaruar edhe disa parti dhe organizata maqedonase.

NOA-INA

Â

KOMENTE