English

Maqedoni-Greqi, nisin negociatat konkrete për çështjen e emrit

Shkup, 22 qershor, NOA - Ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimiç sot ka nisur një fazë të re të negociatave për emrin e Maqedonisë, duke ulur në tavolinën e bisedimeve negociatorët e Shkupit dhe Athinës, Zoran Jolevski dhe Adematios Vasilakis.

"Maqedonia Veriore" do të jetë propozimi që do të shpaloset nga Nimiç, porse nuk jepen detaje se si parashikohet zgjidhja për identitetin dhe trashëgiminë kulturore dhe kombëtare maqedonase.

Mediat greke nuk presin ndonjë rezultat konkret nga këto bisedime, duke i konsideruar vetëm si moment i ri i hapjes së fazës së bisedimeve për emrin.

Diplomacia greke prej javës së kaluar ka nisur një fushatë të re diplomatike, duke u nisur nga administrata amerikane e presidentit Obama e deri tek institucionet më të larta evropiane, për të forcuar pozicionin e saj lidhur me negociatat me emrin e Maqedonisë. Greqia po synon që nëpërmjet këtij lobimi, vendi fqinj që e quan "FYROM" të pranojë presionet e qendrave ndërkombëtare dhe të jetë më afër propozimit grek për emrin.

Pas këtyre negociatave të para, ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimiç më 6 korrik do të mbërrijë në Shkup, për të dëgjuar palën maqedonase lidhur me propozimin për emrin, ndërsa dy ditë më vonë ai do të udhëtojë edhe për në Athinë.

Përfaqësuesi i Shkupit në takimin me Nimiç vetëm se do të dëgjojë ndërmjetësin, por edhe ndonjë propozim apo vlerësim të mundshëm që pritet të pasojë nga ana e negociatorit grek Vasilakis.

Në takimin e fundit të kreut shtetëror nuk është ndërmarrë asnjë vendim apo propozim që mund të shtrohet në negociatat e ditës së sotme. Krerët shtetëror të Maqedonisë janë të vendosur për organizimin e referendumit për emrin. Plani parasheh që propozimi i mundshëm që do të dalë si mundësi kompromisi në tryezën e negociatave mund të shkojë në referendum gjithëpopullor, me qëllim të përcaktimit të qytetarëve rreth kësaj çështje. Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka vendosur që për çështjen e emrit përfundimisht të vendosin qytetarët dhe se ai ka nisur tashmë përgaditjet e opinionit për të shkuar drejt referendumit, por në anën tjetër duke tentuar të sigurojë edhe mbështetje të gjërë politike tek partitë politike shqiptare por edhe tek komunitetet e tjera.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i jashtëm grek, Janis Valinakis deklaroi këtë fundjavë se Greqia është për një emër të pranueshëm me përmbajtje gjeografike dhe përdorim të përgjithshëm. Pala greke ka hedhur poshtë disa pretendime të palës së Shkupit për mundësinë e zgjidhjes së bazuar në formulën e dyfishtë, e cila parasheh që në marrëdhëniet me Greqinë të arrihet një zgjidhje e pranueshme të një emri, ndërsa në nivel të përgjithshëm të përdoret emri kushtetues i Maqedonisë.

NOA-INA

Â

Â

KOMENTE