English

Pretencë 29 vjet burgim për trafik droge pas një sulm,i grabitës me armë

Tiranë, 22 qershor NOA - Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi sot shpalljen fajtorë dhe dënimin me 29 vjet burg për tre të pandehur të akuzuar për trafik të lëndëve narkotike. Organi i akuzës, kërkoi dënimin me 10 vjet burg për të pandehurit Paulin Gjoka dhe Ismail Kllokoqi, si dhe një vit më pak për të pandehurin Artan Kamberi.

Sipas pretencës, më 14 qershor të vitit 2006, i pandehuri Kllokoqi, shtetas kosovar, ka qenë duke udhëtuar mjetin e tij tip "Opel" me targa 335 KS 851 në vendin e quajtur Kthesa e Gëziqit, në aksin rrugor Rrëshen-Kukës.

Në ato momente ai është ndaluar nga dy të pandehurit e tjerë të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një mjet tip "Peugeot" me targë TR 58 96 K.

Këta të fundit mësohet se nën kërcënimin e një arme tip pistoletë, e cila më pas rezultoi të ishte çakmak, i kanë marrë një shumë lekësh.

Ndërkohë që automjeti i Kllokoqit është drejtuar nga i pandehuri Kamberi. Sipas kallëzimit të Kllokoqit, të pandehurit e tjerë e kanë lënë të lirë dhe i kanë marrë gomën rezervë të makinës.

Pas arrestimit të Kamberit dhe të Gjokës policia ka arritur të zbulojë një sasi prej 8 pako, 500 gramë secila, me peshë të përgjithshme 3936 kg, të dyshuara si lëndë narkotike, të fshehura në gomën rezervë të marrë nga ana e të pandehurve në automjetin e Kllokoqit. Pas verifikimeve ka rezultuar se droga do të shitej në vendin tonë.

e.l/NOA

KOMENTE